Përplaset për vdekje 35-vjeçari
08/04/2005 LUSHNJE – Një aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi 35 vjeç, ndodhi në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë në afërsi të tregut të fruta-perimeve në qytetin e Lushnjës. Drejtuesi i mjetit tip “Benz”, me targa LU 7820 B, Perikli Pupi, 37 vjeç, banues në lagjen “Skënder Libohova”, dhe me profesion tregtar i fruta-perimeve, ka qenë duke udhëtuar në këtë aks rreth orës 10.00 të ditës së djeshme, por pakujdesia në ecje solli aksidentin me pasojë vdekjen e menjëhershme të shtetasit Ylli Proshka, 35 vjeç, banues në fshatin Gosë të Kavajës. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë rrugore të Komisariatit të Lushnjës, të cilët kryen veprimet e para proceduriale dhe konstatuan shkakun e aksidentit. Sipas tyre, aksidenti ka ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit ndaj automjetit të drejtuesit të saj. Viktima, në momentin e aksidentit, ka qenë duke kaluar si këmbësor nga njëra anë e rrugës në krahun tjetër të saj. Forcat e policisë së Lushnjës kanë bërë arrestimin e drejtuesit të automjetit Perikli Pupi për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekje.