Akuzë ekspertes së misionit “Eleonorë”
Trazhgim Sokolaj
Ekspertja që pretendoi se projekti i Unazës së Re në komunën e Farkës cenon objektin e misionit “Eleonorë”, merret e pandehur nga Prokuroria me akuzën “ekspertim i rremë”. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, konfirmuan dje për gazetën “Panorama” se ekspertja Elvira Aliaj është person i pandehur në dosjen penale nr.1296. Ky procedim penal është hapur nga prokuroria pas procesit gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, mes Komunës Farkë dhe misionit “Eleonorë”. Selia e misionit të vetëquajtur “i shenjtë” ndodhet në periferi të Tiranës, në një zonë e cila ndodhet në juridiksionin e komunës Farkë. Dy vjet më parë, më 25 qershor 2007, forcat e komisariatit nr.1 të policisë dhe Policia Ndërtimore patën një konfrontim me anëtarë të Misionit “Eleonorë”, pasi tentuan shembjen e një muri që pengonte ndërtimin e rrugës, pjesë e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës. Pas incidentit të ndodhur me policinë, konflikti mes drejtueses së misionit, zonjës Eleonora Rama dhe Komunës Farkë, përfundoi në Gjykatën e Tiranës. Togat e zeza duhej të vendosnin të drejtën në procesin ku Komuna Farkë pretendonte se po pengohej për ndërtimin e rrugës, e cila ishte në shërbim të gjithë komunitetit të zonës. Nga ana tjetër, drejtuesja e misionit “Eleonorë”, pretendonte se projekti i Komunës cenonte hapur pronën e saj, pasi kërkohej shembja e murit rrethues të selisë së vetëquajtur “e shenjtë”.
Ekspertimi i rremë në gjyq
Gjykata e Tiranës në shqyrtimin e padisë së misionit “Eleonorë” kundër Komunës Farkë, vendosi thirrjen e ekspertes Elvira Aliaj, të cilës iu kërkua të kryente verifikimet shkencore dhe të paraqiste në gjyq pretendimet e saj, nëse projekti i rrugës cenonte pronën e pretenduar nga Eleonora Rama. Gjyqtarja Enkela Bajo kërkoi betimin e ekspertes Elvira Aliaj, të cilës iu kërkua verifikimi i çështjes. Disa ditë më vonë, pas shqyrtimit tekniko ligjor të pronës së misionit dhe projektit të Komunës për rrugën, ekspertja e thirrur nga Gjykata, dorëzoi në proces përfundimet e saj. Ajo pretendoi se projekti i Komunës Farkë për ndërtimin e rrugës cenonte pronën ku ndodhet Misioni “Eleonorë”, në periferi të Tiranës. Megjithatë Gjykata e Tiranës e gjeti të rregullt projektin e Komunës Farkë dhe me vendim gjyqësor hodhi poshtë pretendimet e misionit “Eleonorë” për cenim të pronës. Pas kësaj, gjykata gjeti shkelje në akt-ekspertimin e Elvira Aliajt, çka u bë shkak që dosja t’i kalojë menjëherë Prokurorisë së Tiranës. Organi i akuzës zhvilloi hetimet për këtë çështje dhe në përfundim mori të pandehur eksperten Aliaj. “Ajo është e pandehur për veprën penale “ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309 i Kodit Penal të Shqipërisë”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, më 14 maj 2009, dosja penale ndaj ekspertes është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës ku pritet të fillojë procesi gjyqësor.
Konflikti me Komunën
Misioni “Eleonorë”, i cili ndodhet në territorin e Komunës Farkë ka zënë një sipërfaqe toke prej 8 mijë metra katrorë. Çështja e pronësisë së këtij trualli ka qenë vazhdimisht objekt incidentesh. Akuzat për “pushtim” të sipërfaqeve të tokës nuk kanë munguar nga banorët e zonës ndërsa misioni i vetëquajtur i shenjtë është përfshirë në incidente të vazhdueshme edhe me Komunën Farkë. Shkak kanë qenë projektet e pushtetit lokal për investime në infrastrukturën publike të zonës, si rrugët apo projekte të tjera, të cilat kanë ndeshur në kundërshtimin e misionit “Eleonorë”. Anëtarët e këtij misioni janë përplasur disa herë me policinë e rendit dhe policinë ndërtimore, ndërsa palët kanë bërë disa herë kallëzime në Prokurorinë e Tiranës duke pretenduar shkelje të ligjit, ushtrim dhune dhe dëmtim të pronës. me përjashtim të rastit që bën fjalë për projektin e rrugës, pjesë e Unazës së Madhe, ku Komuna Farkë fitoi gjyqin, asnjë nga incidentet tjera nuk ka marrë përgjigje përfundimtare nga drejtësia shqiptare pasi dosjet janë mbyllur në Prokurori.
Drejtuesja e misionit: Deshën të më vrasin
TIRANE – Në qershor 2007, drejtuesja e misionit “Eleonorë” dhe anëtarët e saj, denoncuan në polici një ngjarje ku pretendohej se, disa persona kishin tentuar eliminimin e Eleonora Ramës, e cila drejton këtë organizëm që pretendon të jetë fetar. Hetimet e policisë hodhën poshtë mundësinë e tentativës për vrasjen e drejtues së misionit, duke theksuar se nuk kishte asnjë provë që konfirmonte këtë ngjarje. Megjithatë shefja e misionit bëri publike disa dokumente të spitaleve në Turqi, ku pretendohej se Eleonora Rama kishte pësuar probleme shëndetësore nga lëndë helmuese. Megjithatë këto dokumente u hodhën poshtë nga policia si të pa verifikuara ligjërisht.
“Eleonorë” akuzoi për ushtrim dhune në 2007
TIRANE – Policia Ndërtimore, e mbështetur edhe nga komisariati nr.1, ndërhynë në qershor 2007 në afërsi të objektit ku ndodhet selia e misionit “Eleonorë”, për lejimin e punimeve në pjesën e Unazës së Re. Duke pretenduar se projekti prekte “pronën legjitime” dhe objektet e misionit, disa anëtarë të “Eleonorë” dolën në rrugë dhe penguan mjetet e gërmimit që po ndërtonin rrugën duke shembur murin rrethues të misionit “të shenjtë”. Për shkak se anëtarët e misionit “Eleonorë” kundërshtuan policinë, forcat e rendit u desh të ndërhynin. Pas kësaj ngjarje, misioni “Eleonorë” publikoi një listë me gjashtë anëtarë të tij që pretendohej se ishin dhunuar nga forcat e policisë. Nga ana tjetër, policia e Tiranës deklaroi se veprimet e forcave të rendit kanë qenë korrekte. Sipas burimeve zyrtare, disa efektiva ishin plagosur pasi anëtarët e misionit “Eleonorë” kishin qëlluar me sende të forta mbi forcat e policisë.