E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jam misionar për ndryshimin e Shqipërisë

 

Kryetari socialist Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në qytetin e Durrësit duke thënë se “edhe 27 ditë mbeten nga ndarja me të shkuarën, edhe 27 ditë për të inaguruar rrugën e re të ndryshimit e një politike të re, edhe 27 ditë për të marrë fund korrupsioni, edhe 27 ditë për t’i dhënë një fytyrë të re politikës si edhe gjithë Shqipërisë”. “Unë nuk jam politikan karriere, por një misionar për të ndryshuar Shqipërinë. Katër vjet të tjera me Sali Berishën janë një dëm i pallogaritshëm për këtë vend. Më 28 qershor ju keni mundësinë e re për të vënë në provë një forcë të re, duke votuar për mua dhe për PS. Në këto katër vjet, PS është e gatshme për të hapur një faqe të re, duke kapërcyer kufijtë e partive dhe duke krijuar hapësirë për çdo shqiptar dhe shqiptare. Për një shtet që mbron pronën dhe dinjitetin e gjithsecilit, për të mbyllur kapitullin e vjetër të politikës, për të mos e lënë veten peng në një lojë që e luajnë politikanët dhe që e paguajnë qytetarët. Dua që të jem kryeministri juaj, dua që bashkë me ju të sfidoj politikën e vjetër”, tha Rama. Ai ka akuzuar Kryeministrin Berisha se është një kryeplak i politikës së vjetër që duhet ndërruar. “Sali Berisha është shumë i ndryshëm nga ne. I them kryeplakut të politikës së vjetër se mua nuk më duhet një mandat deputeti për t’u ulur në karrige, pasi do të punoj për Shqipërinë e së ardhmes, duke qëndruar bashkë me ju në këmbë. Do t’i japim shpresë të rinjve, solidaritet mësuesve, dinjitet emigrantëve, begati bujqve dhe peshkatarëve. Të votojmë P.S. për t’i dhënë një fuqi të re ndryshimi Qarkut Durrës-Krujë, që nga bregu i detit e deri në majën e Sallsatikut në Krujë”, tha Rama.
Kreu socialist i bëri apel qytetarëve të Durrësit të votojnë ekipin e PS-së dhe jo individët. “Pas 27 ditësh do të keni përpara një fletë të madhe votimi. Në të do të lexoni emra partish dhe kandidatësh të njohur, të panjohur dhe të stërnjohur. Do t’ju trokasin në derë por ju duhet të votoni për PS. Vota e 28 qershorit është e madhe sa edhe ëndrra juaj, prandaj ta shumëfishojmë atë duke votuar shtatëfish për PS. “Lista e PS-së  janë kandidatët më të mirë që do t’ju ndajnë nga e shkuara. Skuadrat tona të deputetëve janë nga grupet e interesit, komunitetet, intelektualët etj. Ato me forcën e votës do të realizojnë ndryshimin e ëndërruar nga të gjithë”, tha Rama.                  o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›