Gjirokastër, dëshmojnë punonjësit e bashkisë për pallatin e shembur
GJIROKASTER - Zyra e urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës nuk ka mbajtur fare protokoll për veprimtarinë e firmës “Arti shpk”, e cila shkaktoi edhe tragjedinë e shembjes së pallatit më 9 nëntor të vitit të kaluar. Këtë fakt e pohuan dje dëshmitarët e thirrur në seancën e radhës në ngarkim të shtatë të akuzuarve. Ata dhanë dëshminë e tyre për ngjarjen ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën gjashtë të tjerë. Në këtë seancë, trupi gjykues ishte përqendruar te pyetja e nëntë dëshmitarëve, shumica e të cilëve nga Bashkia e Gjirokastrës. Pjesë e dëshmive ishin edhe punonjësit që u morën me formimin e pilotave që do të mbanin masivin shtufor të pallatit në ndërtim, por edhe të atij që fatkeqësisht u shemb. Dëshmitë e personave të thirrur nxorën në pah se përveç Zyrës së Protokollit në këtë njësi vendore, seksionet e tjera si Zyra e Urbanistikës, nuk kanë mbajtur fare protokoll për veprimtarinë e tyre. Një fakt tjetër doli gjatë kësaj seance nga ana e inxhinierit konstruktor të firmës “Arti shpk”, Luan Bufi. Ai deklaroi se prej kohësh në Gjirokastër mungojnë analizat e cilësisë së betonit të prodhuar. Sipas tij, çdo muaj prodhohen në punishtet e këtij materiali të ndërtimit mbi 7 mijë metër kub beton. Dëshmitë e djeshme nxorën në pah edhe faktin se firma përmes inxhinierit që kishte kryer konstruksionin e godinës, që do të ndërtohej poshtë pallatit të rrëzuar, u konsultua me punëtorët e firmës rreth plasaritjes së pilotave mbajtës pak kohë para se të ndodhte tragjedia. Pak minuta para se të rrëzohej pallati, inxhinieri konstruktor Luan Bufi arriti të shpëtonte punëtorët e firmës ndërtuese që ishin në terren duke i larguar. Një ndër dëshmitë e tjera në seancën e djeshme kishte të bënte me cilësinë e hekurit të përdorur në ndërtim. Sipas dëshmitarit të thirrur, hekuri vinte nga tregu i huaj dhe i plotësonte të gjitha parametrat për këtë lloj ndërtimi. Ndërsa dëshmia e Njazi Çobanit, arkitekt i objektit që ndërtonte firma “Arti sh.p.k” u prit me reagime nga pronari i firmës së ndërtimit dhe zbatimit, Sotiraq Janora, i cili reagoi që pas hekurave. Janora kërkoi që të jepte përgjigje nëpërmjet projektit, çka bëri që avokatët të mblidheshin për të marrë shpjegimet e duhura. Seanca gjyqësore u drejtua nga kreu i Gjykatës së Rrethit të Gjirokastrës Desard Avdulaj. Në seancën e ardhshme priten të pyeten 9 dëshmitarë të tjerë të thirrur nga prokuroria, një pjesë e të cilëve munguan dje. p.n