Meta: Zgjedhjet nuk duhet të shtyhen
Aristir Lumezi
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, bëri thirrje të mos shtyhen zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë një konference për shtyp në selinë e LSI-së, duke folur për çështjen e kartave të identitetit, Meta kërkoi gjetjen e një zgjedhje që do garantonte standardet e kërkuara në zgjedhje. “Kanë pasur katër vjet kohë për të bërë Reformën Zgjedhore dhe për të zgjidhur problemin e kartave. Kemi që në janar që ju kërkojmë të gjejnë një zgjidhje konsensuale për çështjen e kartave. Nuk duhet të na turpërojnë që të shtyjmë zgjedhjet, apo t’i dështojnë ato tani që jemi dhe vend anëtar i NATO-s, sepse do të diskreditonim edhe NATO-n, si një aleancë që pranon vende të papërgatitura për demokraci dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, duhet gjetur çdo zgjidhje për të realizuar standarde sa më të pranueshme më 28 Qershor, sepse çdo shtyrje e datës së zgjedhjeve jo vetëm që do të ishte një diskreditim i Shqipërisë në planin ndërkombëtar, por mos të harrojmë që kriza ekonomike sa vjen dhe shtohet për shkak të vendimeve të papërgjegjshme të Kryeministrit Berisha dhe do të kishim një krizë vërtet komplekse, e cila nuk do të ishte larg asaj të vitit 97. Prandaj çdo gjë duhet bërë brenda këtyre tre javëve”, tha Meta. Sipas tij, PD dhe PS duhet të gjejnë zgjidhje dhe jo të sajojnë sebepe për të prishur zgjedhjet. “Duhet gjetur çdo zgjidhje këto ditë që më 28 qershor, qytetarët të shkojnë dhe të marrin pjesë në votime. Nuk duhet të synojë asnjëra palë të sajojë sebepe, për të prishur zgjedhjet dhe as Sali Berisha nuk duhet ta zgjasë dorën drejt qendrave të votimit më 28 Qershor, sepse është nën një vëzhgim shumë të fortë ndërkombëtar, dhe në rast se zgjat dorën do t’i ngelen zgjedhjet në dorë, çka do të ishte shumë e rëndë për të, por edhe për vendin tonë”, tha Meta.
Duke folur për programin qeverisës, kreu i LSI-së u shpreh i hapur për debat publik me dy krerët e partive kryesore në vend. “Unë si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, jam i hapur përpara të gjithë mediave dhe në çdo kohë për të debatuar në mënyrë civile dhe me argumente, si me Kryetarin e Partisë Demokratike, Kryeministrin në largim z.Berisha, ashtu dhe me kandidatin për Kryeministër nga Partia Socialiste z.Rama, lidhur me programin qeverisës për vendin për katër vitet e ardhshme”, u shpreh Meta.
Vëzhguesit
Kryetari i LSI-së kërkoi transparencë dhe mospërzierje të qeverisë me procesin e votimit ditën e zgjedhjeve. “Sali Berisha nuk duhet ta zgjasë dorën drejt qendrave të votimit më 28 Qershor, sepse është nën një vëzhgim shumë të fortë ndërkombëtar, dhe në rast se zgjat dorën do t’i ngelen zgjedhjet në dorë”, tha Meta.
Mediat
“Nisur nga raporti i fundit i USAID, përsa i takon pasqyrimit të kësaj fushate nga mediat, dua të shpreh shqetësimin për njëanshmërinë që tregohet nga disa media nën presionin e disa forcave të caktuara politike, gjë që ka cenuar standardet e një fushate demokratike, transparente dhe të hapur për opinionin publik”, tha Meta.