Leskaj: Programi i PS nis me Kartën Sociale
Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit, Valentina Leskaj, është takuar me banorët e fshatit Paper, për të prezantuar pjesë të programit të ri qeverisës. Leskaj është ndalur te problemet e fermerëve, të cilët nuk kanë mundësi të shesin prodhimet e tyre, në mungesë të një tregu. Valentina Leskaj u ka premtuar banorëve të kësaj zone të harruar nga kjo qeveri në ikje, se pas 28 qershorit do t’i kushtohet një vëmendje më e madhe fshatit nga ana e shtetit. Një tjetër premtim, i cili është parashikuar në programin e ri të Partisë Socialiste, është edhe krijimi i kartës sociale. “Kemi një program që fillon me kartën sociale, që është një revolucion do të thosha është një element shumë i rëndësishëm që çdo shtetas i këtij vendi të këtë një kartë sociale që pavarësisht nga gjendja ekonomike ose sociale të ketë disa përfitime bazë të nevojshme për një jetë normale”, tha Leskaj.