E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzohej për vrasje të dyfishtë, lihet i lirë nga Gjykata e Matit

 

BURREL – Prokurori kërkon 25 vjet burg për vrasje të dyfishtë, gjykata e shpall të pafajshëm. Dy javë pas pretencës, Gjykata e Burrelit vendosi lirimin e Vladimir Dacit, akuzuar për vrasjen e Vladimir e Nikolin Haxhias nga fshati Baz i Matit. Organi i akuzës deklaroi se kishte faktuar me prova se Daci ishte autori i krimit, pasi i qëlloi në një pritë. Më 13 tetor 2009 prokurori i çështjes tha para trupit gjykues se ka dëshmi, përgjime dhe fakte që provojnë se dy kushërinjtë janë vrarë në nëntor të vitit 2001 nga Vladimir Daci. Prokurori kërkoi dënimin me 25 vjet heqje lirie të Dacit, madje tha se ai duhet ta vuante dënimin në një burg të sigurisë së lartë, duke e paraqitur atë si të rrezikshëm. Pretenca e prokurorit shqetësoi familjet e viktimave, madje nuk hezituan t’i thonë në sy atij se dënimi ishte i ulët, pasi ky njeri kishte vrarë dy të rinj të pafajshëm, vetëm se ata e kishin denoncuar si bashkëpunëtor në disa vjedhje me armë. Por dje, të afërmit e dy viktimave kanë qenë në sallën e gjyqit, ku kanë dëgjuar vendimin e gjykatës se Vladimir Daci lihet i lirë për mungesë provash. Familjarët thonë se janë shtangur kur trupi gjykues i përbërë nga A. Çupi, A. Koleci dhe V.Baku., kanë vendosur lirimin nga burgu të së akuzuarit nga prokuroria, duke e rrëzuar pretencën e organit të akuzës. Prokuroria e Matit bëri të ditur dje se ka vendosur ta apelojë urgjentisht vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat si të paligjshëm dhe të pabazuar në prova e fakte. “Ne i kemi vënë gjykatës në dispozicion prova e fakte të shumta që fajësojnë Vladimir Dacin si autorin e vetëm të ngjarjes së rëndë, ndërkohë në mënyrën më absurde gjykata e liroi autorin e krimit, duke i dhënë kështu mundësi të largohet jashtë vendit”, thanë burime të rezervuara nga organi i akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›