E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët, KLD vendos dy masa disiplinore

 

TIRANE – Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi dje të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për gjyqtaren Anila Capo, duke dhënë ndaj saj masën vërejtje. Në mbledhjen e djeshme, KLD vendosi të marrë masën disiplinore “vërejtje me paralajmërim” për gjyqtarin e Sarandës Rasim Doda. Vendimin e tij për ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj dy gjyqtarëve Këshilli e bëri në qëndrim konfirmues ndaj parashtrimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë. Gjyqtari Doda, ish-kryetar i Gjykatës së Sarandës, ishte çuar për procedim disiplinor bashkë me bashkëshorten e tij, pasi të dy kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit në të njëjtin institucion. Ndërsa procedimi disiplinor ndaj gjyqtares Capo u rishqyrtua nga KLD, në zbatim të vendimit nr.16 datë 27.4.2007 të Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij vendimi Gjykata Kushtetuese prishi vendimin e Gjykatës së Lartë që kishte shkarkuar gjyqtaren Capo nga detyra dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim, duke e konsideruar shkarkimin si antiligjor. Referuar vendimit të Kushtetuese bëhet e ditur se Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë nuk e kishin argumentuar shkakun e shkarkimit gjyqtares Capo në vitin 2004.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›