E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kontroll dosjeve të vrasjeve e korrupsionit për 2007-2008”

 

TIRANE – Dosjet gjyqësore të periudhës 2007-2008 me të pandehur funksionarë të lartë shtetërorë për akuzën e “korrupsionit” do të kalohen në “sitë” nga inspektorët e KLD-së. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi dje fillimin e një inspektimi në pesë gjykata të Shkallës së Parë për çështjet gjyqësore me kriminalitet të lartë, mes të cilave edhe veprat që lidhen me korrupsionin e kryer nga funksionarë publike dhe zyrtarë të lartë shtetërorë.
U mësua se në fjalën në mbledhjes me dyer të mbyllura, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu u shpreh se do të inspektohet çdo dosje dhe vendim i dhënë për rastet e vrasjeve si dhe çdo çështje për korrupsion. Bëhet e ditur se inspektimi tematik do të zgjasë për tre muaj me radhë, ndërsa gjykatat të cilat do t’i “nënshtrohen” do të jenë Gjykata e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Vlorës dhe Gjykatën për Krimet e Rënda. “Nevoja për verifikimin e shkaqeve që kanë çuar në tejzgjatje të disa proceseve gjyqësore penale, një pjesë e të cilave mbartin edhe ndjeshmëri në publik dhe media u finalizua me vendimin për këtë inspektim tematik të përbashkët midis dy Inspektorateve të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë”, bënë të ditur dje burime zyrtare të KLD-së. Mësohet se përveç dosjeve me të pandehur për veprën penale të korrupsionit, në inspektim do të kalojnë edhe dosjet në ngarkim të personave të akuzuar për “vrasja me paramendim dhe në rrethana cilësuese”, “trafikim të narkotikëve” dhe “shpërdorim të detyrës”. Gjatë takimit të djeshëm në KLD, bashkëpunimi për këtë inspektim mes Këshillit të Lartë dhe Ministrisë së drejtësisë u vlerësua si “garancia më e mirë për të evituar mbivendosjet e kompetencave ligjore, duke rritur rezultatet e inspektimit gjyqësor”.                 ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›