Pallati i shembur, kërkohet pafajësi për të pandehurit
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Me argumentin se nuk u janë vërtetuar akuzat, mbrojtja e shtatë të pandehurve të tragjedisë së pallatit të shembur në Gjirokastër kërkoi dje në gjykatë pafajësi. Avokatët kërkuan rrëzimin e të gjitha akuzave, pasi sipas tyre ato nuk janë vërtetuar qofshin me prova shkresore apo dhe në terren. Të shtatë të pandehurit, Afërdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT-së Bashkia e Gjirokastrës, Alfred Mamani, ish-përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës, Petrit Maksuti, ish-shef i Policisë Bashkiake, Admir Shehaj, ish-inspektor i ndërtimit, Gjergji Meci, inxhinier i firmës “Arti shpk”, Leonard Mustafaraj, si dhe Sotiraq Janora president i firmës së ndërtimit, së bashku me avokatët e tyre kanë qenë prezent në sallën e gjyqit. I vetmi që ndodhet pas hekurave është Janora, për të cilin pretenca kërkoi seancën e kaluar 20 vjet burg. Ai akuzohet për dy vepra penale, “vrasje në rrethana të cilësuara”, si dhe “prishje e pronës me dashje”. Për akuzën e parë prokuroria kërkoi 17 vjet burg, ndërsa për të dytën 3 vjet. Avokati i tij kërkoi nga ana e trupit gjykues, pafajësinë e tij duke dhënë edhe argumentet. “Ndërtimi i objektit 7-katësh, i cili pretendohej të ndërtohej disa metra poshtë pallatit të rrëzuar ka qenë i studiuar dhe komfort të gjitha rregullave dhe kjo nuk justifikon cilësimin e veprës si krim me dashje”, u shpreh avokati i të pandehurit Janora. Pasi janë dëgjuar të gjitha pretendimet e palës mbrojtëse për të shtatë të akuzuarit e çështjes gjatë seancës së djeshme, e cila zgjati dy orë e 30 minuta, trupi gjykues caktoi datën 10 nëntor për të dhënë verdiktin e tij në lidhje me këtë çështje. Pretenca kërkoi seancën e kaluar për Afërdita Papamihalin, 3.6 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, për Alfred Mamanin dhe Admir Shehaj nga tre vjet burg si dhe 500 mijë lek gjobë. Të gjithë këta akuzohen për shpërdorim detyre. Prokuroria kërkoi 3.6 vjet burg si dhe 500 mijë lekë gjobë për inxhinierin e firmës “Arti” sh.p.k., Gjergji Meci. Ndërsa për Petrit Maksutin, dhe Leonard Mustafarajn, akuza kërkoi nga një vit e gjashtë muaj burg si dhe 200 mijë lekë gjobë.