Ryshfeti, gjyqtari përgjysmon dënimin
Trazhgim Sokolaj
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i hapi dje rrugë Prokurorisë në hetimin e gjyqtarit të Elbasanit Qani Hasa i dyshuar për korrupsion. Sipas prokurorisë, gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, ka marrë një shumë prej 300 mijë lekësh të reja ryshfet nga babai i një të arrestuari, duke përgjysmuar dënimin e tij. Dosja po hetohet nga Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, edhe pse denoncimi është bërë fillimisht në Prokurorinë e Elbasanit. Shtetasi Ibrahim Hoxha ka denoncuar gjyqtarin, duke dorëzuar në Prokurori edhe disa imazhe filmike të veprimeve korruptive. Në momentin e kryerjes së pagesës, mësohet se Prokuroria kërkoi në gjykatë autorizim për kontroll në banesën e gjyqtarit me qëllim kapjen e tij në flagrancë, por togat e zeza refuzuan pasi i dyshuari kishte imunitet. Prokuroria tha se ka dokumentuar prova dhe fakte që tregojnë se gjyqtari Qani Hasa, ka përfituar një shumë prej 300 mijë lekësh ryshfet, nga babai i një të arrestuari për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Prokuroria kishte kërkuar në pretencën e saj dënimin me dhjetë vjet e 6 muaj burg për të arrestuarin. Ndërkohë, gjyqtari i dyshuar ka dhënë masën e dënimit 5 vjet burg për të arrestuarin duke përmbushur kështu premtimin e dhënë kundrejt ryshfetit për uljen e gjysmës së dënimit ndaj të pandehurit.
Hetimi i gjyqtarit
Prokuroria e kishte të pamundur të hetonte gjyqtarin në fillim të procedimit penal. Sipas ligjeve në fuqi, gjyqtarët kanë imunitet dhe hetimi i tyre është i paligjshëm në mungesë të autorizimit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Për këtë shkak, Prokuroria e Tiranës ka zhvilluar hetime ndaj personave të tjerë të përfshirë në skemën e korrupsionit duke pritur heqjen e imunitetit me qëllim kryerjen e hetimeve direkte ndaj Qani Hasës. Gjatë kësaj kohe është arritur të provohet se babai i të pandehurit për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” kishte hyrë në marrëdhënie korruptive me persona të caktuar ndërmjetës për të dhënë shumën 300 mijë lekë të reja me qëllim uljen e gjysmës së dënimit të kërkuar nga prokuroria. Sipas hetuesve mësohet se babai i të arrestuarit kishte dëgjuar pretencën e prokurorisë në seancën kur organi i akuzës ka paraqitur konkluzionet përfundimtare. Pasi ka mësuar kërkesën e Prokurorisë për dënimin e djalit të tij me dhjetë vjet e gjysmë burgim, në ditët që kanë pasuar deri në seancën e shpalljes së vendimit nga gjykata, babai i të arrestuarit mësohet se ka bërë pagesën. E gjithë skema është dokumentuar me anë të hetimeve të kryera nga personat tjerë të implikuar pasi hetimi ndaj gjyqtarit nuk ka qenë i mundur për shkak të imunitetit.
Heqja e imunitetit
Pas një sërë hetimesh të zhvilluara në procedimin penal për korrupsionin e gjyqtarit, Prokuroria i është drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Është kërkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, autorizim për procedimin penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan Qani Hasa”, thuhej dje në një deklaratë të Prokurorisë. Sipas saj, ndaj gjyqtarit, Prokuroria e Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për krimin “korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Sipas prokurorisë hetimi filloi mbi bazën e materialit kallëzues të një shtetasi. “Hetimet e deritanishme të kryera prej njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës, kanë hedhur dritë mbi një veprim korruptiv (marrje një shume parash).