Sulmohen kishat në Malajzi

Së paku katër kisha janë sulmuar në Malajzi, për shkak të tendosjeve të cilat kanë shpërthyer si rezultat i shfrytëzimit të fjalës “Allah”, nga ana e jo-myslimanëve në këtë vend.
Sulmues të panjohur hodhën sot pasdite një koktej Molotovi në drejtim të një kishe në shtetin e Selangorit, por për fat të mirë, kokteji nuk u ndez, njoftuan mediet.
Ky incident ndodhi vetëm disa orë pasi që një koktej i ngjashëm u hodh në drejtim të një kishe në kryeqytetin Kuala Lumpur.
Ministri i Brendshëm i Malajzisë, Hishamudin Hussein, bëri thirrje për qetësi dhe siguroi grupet religjioze në vend se “ato janë të sigurta”.
“I marr tejet seriozisht ngjarjet dhe incidentet e fundit. Dëshirojmë të sigurojmë publikun se këto nuk kanë qenë aksione të koordinuara dhe të planifikuara”, tha Hussein.
Një gjykatë në Malajzi javën e kaluar shfuqizoi vendimin e qeverisë, me të cilin jo-myslimanëve ju ndalohej përdorimi i fjalës “Allah”, duke i lejuar kështu gazetës së krishtere, Herald, që të shfrytëzojë këtë fjalë, për t’iu referuar Zotit në gjuhën malaje.
Grupet myslimane organizuan protesta pas lutjeve të së premtes, duke shprehur hidhërimin e tyre ndaj këtij vendimi të gjykatës, përkundër vërejtjeve të shefit të policisë së Malajzisë, Musa Hassan, i cili ka kërkuar nga organizatorët që të lejojnë gjykatat të merren me këtë çështje dhe vërejtjes së tij se do të ndërmarrë aksion ndaj gjithë atyre, të cilët e kërcënojnë sigurinë kombëtare.