E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakron të dashurën 10 herë me thikë

 VLORE/ QEMAL BIRAKUNjë vajzë 15-vjeçe është masakruar dje me thikë nga i dashuri i saj, pasi ajo i refuzoi martesën. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e mesditës kur 21-vjeçari durrsak, (emri nuk u bë i ditur pasi është në kërkim) kishte shkruar në shtëpinë ku jetonte M.Sheme, në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë. Adoleshentja ndodhej e vetme në shtëpi, pasi babai i saj punonte në ndërtim, ndërsa e ëma pas divorcit me të shoqin jetonte e ndarë bashkë me djalin. Historia ndërmjet 21-vjeçarit dhe vajzës kishte nisur një vit më parë, kur ata ishin njohur nëpërmjet internetit. I riu kishte shkuar disa herë në Vlorë dhe takohej me 15-vjeçaren. Por historia e tyre e fshehtë u zbulua shumë shpejt nga babai i vajzës. Ky i fundit nuk e pranoi dashurinë e saj, ndonëse i riu i kërkoi atij disa herë që të martohej me të bijën. Ende nuk dihen shkaqet e këtij refuzimi, por sipas fqinjëve të viktimës, ndoshta arsyeja ka të bëjë me moshën ende të mitur të vajzës. Për ta shkëputur tërësisht nga takimet me 21-vjeçarin, babai vendosi që t’i ndërpriste edhe shkollën (vitin e parë gjimnaz) së bijës. Por gjithçka kishte qenë e kotë, pasi të rinjtë vijonin të takoheshin në banesën e adoleshentes. Ata shfrytëzonin rastin kur babai i vajzës shkonte në punë. Por presioni i vazhdueshëm i babait ka ndikuar që edhe vetë vajza të lëkundej dhe të vendoste që t’i jepte fund një herë e mirë lidhjes. Pikërisht ky vendim ka ndikuar që i riu nga Durrësi të irritohej deri në atë pikë sa të masakronte të dashurën e tij 10 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Si shumë herë të tjera, ai edhe dje kishte shkuar në shtëpinë e 15-vjeçares. E kishte paralajmëruar të dashurën se nëse nuk do të martoheshin bashkë, atëherë ai do ta vriste. Në orët e mesditës, kur adoleshentja ka parë të dashurin që po i afrohej shtëpisë, nga frika ka mbyllur derën e dhomës, e cila ishte gjysmë me xham. Ai i ka kërkuar t’i hapë derën, por ajo e ka kundërshtuar. Ky veprim e ka irrituar të riun aq sa ka thyer xhamin, duke tentuar ta hapë derën. E frikësuar, M.Sheme është munduar të mos e lejojë të futet brenda duke e mbajtur derën me trupin e saj. Por në këtë moment i riu ka nxjerrë thikën duke i prerë duart me të cilat ajo mbante derën. Më pas ai është futur brenda duke përdorur dhunë. Pasi e ka shtrirë në divan ai ka nxjerrë një thikë duke e goditur disa herë në trup 15- vjeçaren. Britmat e vajzës kanë tërhequr vëmendjen e banorëve. Një fqinj i saj është turrur drejt banesës, ndërsa i riu kur ka parë se dikush po i afrohej shtëpisë e ka lënë të dashurën e tij të mbytur në gjak dhe është larguar. Adoleshentja është nisur me urgjencë në spital, ndërsa për pak minuta mbërriti edhe policia. Gjatë rrugës e plagosura nuk i kishte humbur ende ndjenjat duke i pohuar policisë se ishte masakruar nga i dashuri i saj, pasi i kishte mohuar atij martesën. Pasi u ka konfirmuar edhe emrin e tij, ajo ka rënë në koma. Mbas 4 orësh operacion, 15-vjeçarja ka dalë nga salla, por deri në orët e vona sërish ishte në gjendje kome. Sipas mjekëve, ajo kishte marrë 10 plagë në trup, sipërfaqësore dhe të thella. Më e rëndë ka qenë dëmtimi i një veshke e cila iu hoq, dëmtimi i mushkërive, prerja e damarit të qafës, prerja e duarve si dhe disa plagë të tjera në të gjithë trupin para dhe pas shpine. Sipas mjekëve, pas ndërhyrjes së kryer, janë në pritje të përmirësimit të saj, por ata ende nuk ishin në gjendje të konfirmonin nëse ajo e kishte kaluar rrezikun për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›