Zyrat Task-Force në rrethe s‘kanë oficerë
TIRANE - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama komandon në drejtimin e Zyrës Task-Force Antikorrupsion në prokurorinë e Tiranës, prokurorin Altin Dumani. Komandimi është bërë vetëm pak ditë pasi presidenti i Republikës dekretoi emërimin e prokurorit Dumani në prokurorinë e Apelit në Tiranë. Sipas burimeve nga prokuroria e Përgjithshme, prokurori Altin Dumani është komanduar me një afat më tepër se një mujor në drejtimin e njësisë Task Force derisa Prokurorja e Përgjithshme të emëroje drejtuesin e ri të Zyrës Antikorrupsion. Kjo njësi është drejtuar deri më tani nga prokurori Altin Dumani i cili pak kohë më parë është votuar në shumicë nga Këshilli i prokurorisë së Përgjithshme për tu emëruar në prokurorinë e Apelit në Tiranë. Pas dekretimit të prokurorit Dukani në këtë detyrë, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka marrë ende një vendim për drejtuesin e Task Forcës e cila nga ana e saj përballet me një volum të madh pune për shkak të numrit të madh të çështjeve dhe specifikës së veprimeve të shumta hetimore që duhet të kryhen. Për këtë shkak, Kryeprokurorja Ina Rama ka vendosur komandimin e prokurorit që drejtoi për mesë dy vite Njësinë Task Force në këtë detyrë përsëri deri në emërimin e kreut të ri të Njësisë. Zyra antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës filloi funskionimin në shtator 2007 pas nënshkrimit të memorandumit të përbashkët në mesin e po atij viti. Me asistencën e programeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OPDAT dhe ekspertëve të ndihmës së BE, kjo njësi u kthye brenda pak muajve në mekanizmin kryesor të luftës antikorrupsion në prokurorinë shqiptare. Pak muaj më parë prokurorja e Përgjithshme deklaroi ngritjen e gjashtë zyrave të ngjashme në rrethe. Prokuroria ka plotësuar organikën e këtyre zyrave me oficerët dhe prokurorët e saj por ende nuk janë caktuar oficerët e policisë së shtetit dhe të doganave në Zyrat Task Forcë në Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Korçë dhe në Vlorë. tr.so