SHBA dërgon forca shtesë në Haiti
SHBA-ja ka dërguar sot forca shtesë në Haiti, për të ndihmuar përpjekjet humanitare, në momentin kur me dhjetëra mijëra haitanë të uritur, të etur dhe të lënduar, të cilët i mbijetuan tërmetit katastrofal që goditi këtë vend javën e kaluar, vazhduan të presin ndihmat e premtuara.
Komanda Jugore e ushtrisë amerikane theksoi se 2200 marinsa me pajisje të rënda, për të pastruar rrënojat, do t’i bashkohen 5 mijë ushtarëve amerikanë, të cilët tashmë janë të stacionuar në rajon.
Synimi është që në rajon të dërgohen rreth 10 mijë ushtarë amerikanë, të cilët do të përfshihen në operacionet për shpëtim, deklaroi zëdhënësi i Komandës Jugore, Jose Ruiz.
Udhëheqësit botërorë kanë premtuar ndihmë masive për rindërtimin e Haitit, pas tërmetit që la të vdekur gati 200 mijë njerëz, duke shkatërruar me këtë rast një pjesë të madhe të kryeqytetit Port Au Prince.
Presidenti i Haitit ka theksuar se ushtarët amerikanë do t’i ndihmojnë paqeruajtësve të OKB-së për të ruajtur rregullin, pasi që policia e Haitit dhe paqeruajtësit deri me tani nuk kanë qenë në gjendje që të ofrojnë siguri të plotë.
Komandanti i operacioneve ushtarake të SHBA-së në Haiti, gjenerali Ken Keene, deklaroi:”Ne jemi aty për të marrë pjesë në operacionet e asistencës humanitare, por siguria është një element i rëndësishëm. Ne duhet t’i adresohemi edhe situatës së sigurisë”.