Durrës, edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit
Është çeluar gjatë mbrëmjes së të shtunës, edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit. Nata e parë e Festivalit u hap me filmin “Mjaltë/Honey”, nga Semih Kaplanouglu, film që prezanton Turqinë në këtë festival dhe që jepet premierë nacionale në qytetin e Durrësit. Amfiteatri i Durrësit do të jetë arena kryesore e projektimit të filmave gjatë këtij edicioni.
Për një javë, qyteti bregdetar do të kthehet në qendër të vëmendjes, pasi aty do të zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit, një eveniment i cili shënon edicionin e tij të katërt në këtë qytet.
Edhe këtë vit, festivali do të sjellë seksionin e dokumentarit ndërkombëtar dhe të filmit të shkurtër. Konkurrimi zyrtar konsiston në përzgjedhjen e 8 filmave të metrazhit të gjatë, të produksioneve më të reja evropiane, si dhe 6 filma në seksionin Ballkanik. Në natën e parë të festivalit, u prezantuan figura të shquara të kinematografisë botërore, të cilat do të jenë pjesë e këtij eventi.
Ndër ta, aktorja e njohur italiane, Claudia Cardinale, producentë dhe aktorë të tjerë të njohur ndërsa pritet që i ftuar special në këtë edicioni të katërt të jetë regjisori amerikan, Francis Ford Coppola. Kthyer tashmë në një traditë në çeljen e natës së parë të këtij festivali, ishin të pranishëm personalitete të artit skenik e kulturës shqiptare.