Plumba mbi 35-vjeçarin në Lezhë, plagoset kalimtarja
Një 35-vjeçar nga Kallmeti i Lezhës dhe një kalimtare e rastit kanë mbetur të plagosur dje në një atentat me armë. Ngjarja ndodhi në lagjen “Skënderbeg” të qytetit të Lezhës, ku Ernest Margjoni 35 vjeç, ka qenë edhe objekti i këtij sulmi me armë. Burime nga policia bëjnë me dije se Margjoni është plagosur rëndë dhe pas ndihmës së parë në spitalin e Lezhës është dërguar me shpejtësi në Tiranë. Ndërsa është plagosur edhe një kalimtare e rastit, 18-vjeçarja E. Preçi. Burime zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, në vendin e quajtur “rruga e Kallmetit” dhe sipas hetimeve të kryera nga ana e policisë, autorët kanë qenë duke lëvizur me një automjet. Pasi kanë ndjekur prej kohësh Ernest Margjonin, kanë zgjedhur momentin ku kishte më pak njerëz, duke e qëlluar direkt nga makina. Policia e Lezhës bëri të ditur se 35-vjeçari Margjoni ka lënë spitalin e Lezhës, pasi gjendja e tij është kritike për jetën dhe është dërguar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ndërsa 18-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalës të fshatit Kallmet, ndërsa ka vazhduar edhe krehjen e zonës për gjetjen dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes.