Alarm i rremë për bombë, panik në QTU
Alarmi për bombë në qendrën tregtare QTU ka mbajtur për disa orë në tension jo vetëm të gjithë punonjësit e saj, por edhe kalimtarët në autostradën Tiranë-Durrës ku ndodhet godina. Nga ora 10:00 paradite, punonjësit e qendrës tregtare kanë braktisur godinën dhe kanë mundur të rikthehen në normalitet vetëm pas orës 13:00, kur policia ka informuar se alarmi ishte i rremë. Pa kaluar shumë kohë, policia ka mundur që, nëpërmjet numrit të telefonit të identifikojë autorin e alarmit të rremë për bombë, i cili rezulton të jetë një ish-punonjës i qendrës tregtare, që herë pas here shfaq turbullime psikike. Paniku ka qenë i pranishëm te të gjithë punonjësit e QTU-së për disa orë, ndërkohë që në përfundim ata kanë vijuar punën normalisht.
TelefonataRreth orës 10:00, një telefonatë ka mbërritur në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Një zë i trashë burri, me dialekt verior, është shprehur se në Qendrën Tregtare Univers, e njohur si QTU, kishte vënë një sasi të madhe eksplozivi, që do të hidhte në erë të gjithë godinën. Fillimisht, policia e ka zgjatur telefonatën me kërcënuesin, duke i kërkuar që të mos mashtronte në lidhje me veprime të tilla, por autori është treguar i prerë. Madje, ai ka tërhequr vëmendjen që ata të lëviznin shpejt, me qëllim që të shpëtonin jetët e njerëzve, pasi ai donte që të hidhte në erë vetëm godinën. Ndërkaq, në bisedën telefonike me sallën operative, ai nuk ka dhënë detaje të tjera, pavarësisht se numri telefonues i tij është regjistruar nga aparaturat e policisë.
EvakuimiMenjëherë, për në drejtim të Qendrës Tregtare Univers, që ndodhet në kilometrin e katërt të autostradës Tiranë-Durrës, mbërritën shërbimet policore të Komisariateve nr. 2, nr. 5 dhe nr. 6. Bashkë me ta, në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet antiterroriste, specialistët antieksploziv, ekspertët xhenierë, të cilët në bashkëpunim me sistemin e sigurisë të kësaj qendre tregtare, bënë evakuimin e të gjithë të pranishmëve në godinë. Kur kanë parë forcat e policisë, njerëzit janë tmerruar, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe shërbimet e policisë rrugore, duke devijuar qarkullimin e mjeteve. Sipas të dhënave policore, denoncimi i djeshëm ishte i përmasave të mëdha edhe për shkak të sipërfaqes, që duhej kontrolluar për eksplozivë. Policia ka ushtruar kontroll në qendrën tregtare për rreth tre orë dhe në përfundim ka rezultuar se aty nuk kishte asnjë bombë.
AutoriNga ana tjetër, shërbimet policore kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes së rëndë. Sipas të dhënave policore, nga numri telefonik, i përdorur për të dhënë alarmin për bombë, ka rezultuar se i dyshuari për ngjarjen është Klodian Bizhga, 30 vjeç, banues në Kashar të Tiranës. Menjëherë, shërbimet e Komisariatit nr. 6, që e njihnin personazhin e identifikuar nga grupi hetimor, kanë shkuar në banesën e tij, por nuk e kanë gjetur. Aty kanë kontaktuar me të afërmit, ku janë vënë në dijeni se ai ndodhej tek disa njerëz të tij në Tiranë, në rrugën “Irfan Tomini”. Shërbimet e Komisariatit nr. 2, që mbulojnë këtë zonë, kanë identifikuar vendin, ku ai qëndronte dhe rreth mesditës është bërë shoqërimi i tij. Policia tha se në lidhje me këtë informacion të rremë të dhënë prej tij, është vendosur që ai të arrestohet në flagrancë. Për disa orë, grupi hetimor e ka marrë në pyetje, ku ai ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke treguar edhe mekanizmin e kryerjes së telefonatës. Sipas të dhënave hetimore, vite më parë, ai ka qenë punonjës i Qendrës Tregtare Univers dhe është hequr nga kjo punë. Veç kësaj, ai paraqiste turbullime psikike dhe kjo mendohet se ka ndikuar në kryerjen e telefonatës për dhënien e alarmit për bombë.
Rihapja e QTU-sëPolicia tha se pas kapjes së autorit, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të tjera procedurale, ndërkohë që i arrestuari akuzohet për veprën penale të përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik dhe për njoftim të rremë në organet e rendit. Në orën 13:15, Qendra Tregtare Univers u hap për publikun duke vijuar normalisht veprimtarinë e saj.
#