Dyshimet, Bleona është dërguar në Tiranë
Banorë të fshatit Zapod të Kukësit kanë rrëfyer para oficerëve të policisë së 6-vjeçarja Bleona Mata është strehuar për disa kohë në periferi të Tiranës dhe më pas është transportuar në qytetin e Durrësit. Grupi hetimor ka përqendruar hetimet te një rrëmbim i mundshëm i vogëlushes, ndërsa kanë marrë të dhëna interesante për lëvizjen e saj nga qyteti i Kukësit drejt kryeqytetit. Disa persona kanë dëshmuar se kanë mësuar nga të afërmit se vajza është strehuar për disa ditë në fshatin Paskuqan në Tiranë te një familje me origjinë nga Kukësi. Në këtë banesë, vajza e vogël është mbajtur deri në momentin që është transferuar në Durrës. Në qytetin bregdetar, vogëlushja mendohet se është parë për herë të fundit.
Burime nga Policia e Shtetit thanë për gazetën “Shqip” se kanë kryer një sërë verifikimesh për zhdukjen e Bleonës, ndërsa kanë verifikuar edhe një strehim të mundshëm të saj në Tiranë. Agjentë të policisë kanë këqyrur banesat e dyshuara për ndonjë provë të mundshme, ndërsa të dhënat nuk janë bërë publike. Ajo çfarë deklarojnë burimet nga grupi hetimor është se po verifikohen të gjitha pistat që kanë të bëjnë me një rrëmbim të mundshëm. Dy janë rrugët nga ku mund të ketë kaluar vogëlushja, në drejtim të Tiranës dhe në drejtim të Kosovës. Megjithatë, të dhënat e fundit flasin se 6-vjeçarja është parë në periferi të Tiranës.
Familja Mata, gjatë deklarimeve në polici, mendon se disa banorë të fshatit e dinë të vërtetën e Bleonës. Kërkimet nga ana e familjarëve shtrihen gati në gjysmën e Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Has etj., e deri në Prizren, Tetovë e kështu me radhë.
Bleona u zhduk pasditen e 22 majit, ndërsa ndodhej në mal bashkë me pesë vajza të rritura, përfshi hallën e saj Alketën. Vajzat e rritura, pasi kishin marrë me vete Bleonën, kanë njoftuar një orë më vonë në familje, duke thënë se vajza e vogël nuk ishte me to në mal, ndërsa shumë orë më vonë u njoftua edhe policia. Kërkimet për vogëlushen u shtrinë për tri javë në malet e zonës, ndërsa më vonë u hetua edhe në pistën e rrëmbimit të personit, por pa sukses.
Hetuesit e çështjes dyshojnë se vajza mund të jetë rrëmbyer nga banorët e fshatit Zapod, ndërsa nuk përjashtohen as farefisi Mata. Hetuesit e Krimeve të Rënda kanë kërkuar në zonën ku u zhduk vajza dhe kanë dokumentuar se vajza ka lëvizur rreth dhjetë minuta nga kontakti i fundit me hallën. Pra, nga momenti i ndarjes me shoqet dhe hallën ajo mendohet se ka përshkuar një distancë rreth 200 metra dhe mund të jetë futur në malin e fshatit Zapod.
çështja po hetohet nga Krimet e Rënda, ndërsa për këdo që ndihmon në gjetjen e vogëlushes, shteti ka vënë si shpërblim shumën e 3 milionë lekëve. Në zonë kanë nisur të qarkullojnë histori të ngjashme me rastin e Bleonës. U përfol se dikush tentoi të grabiste një fëmijë rreth 8 vjeç nga Kosharishti, 2 kilometra përtej Zapodit. Madje thuhet se dy personat e panjohur, një prej të cilëve ishte grua, i kanë injektuar një gjilpërë në krah, por kur fëmija ka bërtitur, ata janë larguar.
#