Gjermanët sigurojnë,Diego te Volfsburgu
Me shumë mundësi 48 orët e ardhshme do të jenë të fundit për Diegon në Torino. Mesa duket, fantazisti brazilian, i cili mbërriti në sezonin e kaluar me shumë bujë në Torino, është gati t’i japë lamtumirën “Zonjës së Vjetër”. Në Gjermani, ashtu sikurse ishte përfolur këto ditë edhe në Itali, tashmë janë të sigurt se Diego është një lojtar i Volfsburgut. Ky është lajmi kryesor i të përditshmes prestigjioze gjermane, “Bild”, e cila konfirmon se tashmë klubi i Juventusit ka pranuar një ofertë prej 16 milionë eurosh për kartonin e ish-futbollistit të Verder Bremenit, plus kartonin e mbrojtësit italian Andrea Barzalji, i cili vlerësohet 5 milionë euro. Por në të njëjtën kohë, ajo që konfirmohet lidhet edhe me faktin se kjo tratativë nuk do të ketë asnjë lloj lidhjeje me mundësinë e blerjes nga ana e Juventusit të sulmuesit boshnjak të Volfsburgut, Edin Dzeko.