Fushë-Krujë; Kërkohej në Angli për vrasje, arrestohet Afrim Cubi
Prej 8 vjetësh kërkohej nga drejtësia angleze, pasi akuzohej për kryerjen e një vrasjeje. Por, ai kishte arritur që t’i shmangej arrestimit, duke u rikthyer në Shqipëri, ku edhe jetonte. Pas kërkesës së gjykatës, i kërkuari Afrim Cubi ka rënë në pranga, i akuzuar për ngjarjen e ndodhur në Angli ku mbeti i vrarë një emigrant shqiptar. Sipas burimeve zyrtare, Cubi u arrestua në banesën e tij në Fushë-Krujë ku edhe jetonte. Ndalimi i tij u bë në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila në të njëjtën datë mbi kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, kishte vendosur caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, për këtë shtetas. Kjo masë sigurimi ishte kërkuar nga organi i akuzës, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, më dt .24.09.2009, kishte regjistruar procedimin penal në ngarkim të tij, mbi procedimit penal të transferuar nga autoritet e drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar. Sipas burimeve zyrtare, i ndaluari dyshohet se gjatë vitit 2001, ndodhej si emigrant në Mbretërinë e Bashkuar. Ai shfrytëzonte një identitet të rremë në vendin ishullor, ku ishte regjistruar edhe tek autoritetet britanike. Sipas burimeve, Cubi ishte regjistruar si shtetas kosovar, për të përfituar leje-qëndrimin në Angli. Më datën 17 të vitit 2001, ai dyshohet se është përfshirë në një sherr.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Beachborough Road Gh Cheriton, Folkestone”, në Kent të Anglisë. Ai ka pasur një konflikt për motive të dobëta me shtetasin shqiptar Frederik Ndreka, të cilin e ka qëlluar me thikë duke i shkaktuar vdekjen. Më pas, Cubi është larguar nga Anglia për t’u kthyer në Shqipëri. Por policia angleze nisi hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Ajo arriti që të identifikonte autorin e krimit, dhe më pas të zbulonte se ku ai ndodhej. Pas bashkëpunimit me autoritetet shqiptare, u krye edhe arrestimi i të kërkuarit, në banesën e tij në Fushë-Krujë.