E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm në Fier, në prag përmbytjeje 12 fshatra

19/12/2008  Reshjet, prefekti thirrje banorëve të largohen. Problem Mallakastra, Levani e Frakulla

FIER- Prefektura e qarkut Fier ka dhënë alarmin në orët e pasdites për banorët e më shumë se 12 fshatrave të qarkut. Vetë prefekti i qarkut Shahin Bejdaj u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave që ndodhen pranë lumenjve Vjosë, Seman e Gjanicë të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi parashikohen përmbytje të mëdha. Njoftimi ka ardhur nga kreu i prefekturës, grupet e emergjencës së të cilës janë vendosur pothuajse në të gjitha pikat e rrezikuara nga përmbytja.

Situata

Specialistë të shtabit janë shprehur se gjithë kjo situatë ka ardhur pas reshjeve të vazhdueshme që kanë rënë gjatë natës dhe paradites së sotme jo vetëm në qarkut e Fierit, por edhe me gjerë. "Si pasojë e reshjeve të rëna në qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës, parashikohen përmbytje të përmasave të mëdha. Shirat që vazhdojnë prej dy ditësh në zonën e jugut dhe në burimet e Vjosës kanë bërë që ai të vërshojë me vrull nga shtrati i tij në territorin e qarkut të Fierit, duke e rrezikuar seriozisht këtë të fundit nga përmbytjet. Evakuimi i banorëve do të ishte masa më e sigurt për të mos u rrezikuar jeta e banorëve". Kështu është shprehur ndër të tjera inspektori i sektorit të emergjencave civile pranë prefekturës së qarkut të Fierit Viron Balla. Specialistët e Shtabit të Emergjencës kanë deklaruar se niveli i ujit po rritet nga momenti në moment dhe se centimetrat për të kaluar pikën kritike janë fare të pakët. Vetë prefekti i qarkut Bejdaj ka deklaruar se personalisht ka komunikuar me prefektin e Gjirokastrës e Përmetit ku dhe reshjet janë më të dendura. Fshatrat e rrezikuar sipas Bejdajt janë ata të zonës e Mallakastrës, Levanit, Frakullës, për të përfunduar në zonat e banuara që shtrihen pranë lumit Gjanicë. E ndërsa alarmi është dhënë, banorët, të cilët prej pak kohësh janë kthyer në shtëpitë e tyre, ngrenë shqetësimin se ku do të kalojnë natën. "E morëm vesh që duhet të largohemi nga shtëpitë pasi parashikohen përmbytje të mëdha po ku do të shkojmë. Ne vetëm tre ditë kemi që u kthyem në shtëpi ku na u shkatërruar gjithçka dhe humbëm me miliona lekë. Shumë fqinjë nuk janë kthyer në shtëpi, por edhe ne do të ikim tani që u dha alarmi për evakuim”,-ka pohuar mes lotëve Hatixhe Neziri banore e fshatit Frakull të Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›