E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentojnë vetëhelmimin 2 adoleshentet, kushërira

19/12/2008  Mister shkaku, familjarët nuk tregojnë

FIER- Dy minorene, kushërira të para me njëra-tjetrën, banore të fshatit Sfir kanë tentuar vetëvrasjen me pesticide. Sipas familjarëve të dy të miturave, ato kalonin pjesën më të madhe të kohës bashkë dhe se motivet e këtij helmimi janë ende të paqarta. Ndërsa të dy vajzat kanë konsumuar sasinë e helmit, në banesë ndodhej vetëm gjyshja e tyre e moshuar, e cila nuk ka parë asgjë nga çfarë kishin planifikuar dy të miturat. E ndërsa plaka e shtëpisë nuk ka arritur të kuptojë asgjë nga çfarë ka ndodhur vajzat me inicialet M. F. dhe S. F., të dyja kushërira të para, vajza xhaxhallarësh, janë transportuar fillimisht për në spital. Bluzat e bardha kanë treguar se gjendja e vajzave ka qenë kritike, por ato janë jashtë rrezikut për jetën. Në mjediset e spitalit të Fierit është gjendur dhe i ati i njërës prej vajzave, i cili nuk ka thënë asnjë fjalë në lidhje me këtë ngjarje që ka tronditur të gjithë fshatit. Dy të miturat, sipas mjekëve, kanë konsumuar në të njëjtën kohë një sasi lëngu i cili zakonisht përdoret për spërkatjen e rrushit. Ky përfundim ka ardhur pas analizave të kryera mbi dy të miturat dhe simptomat që ato paraqitën në momentin që u shtruan në spital. Shkaqet e kësaj ngjarjeje kanë për të mbetur një mister, pasi në policinë e Fierit nuk ka pasur asnjë deponim nga të afërmit, çka pengon edhe ngritjen e një grupi hetimor për të zbardhur historinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›