E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenton me vdekje 14-vjeçarin, braktis dhe makinën

19/12/2008  Policia: Mjeti i paregjistruar

DURRES- Një fëmijë i moshës 14 vjeç ka qëndruar për më shumë se një orë në mes të rrugës ku është aksidentuar për vdekje, ndërkohë që autori i krimit të rëndë është larguar për të humbur gjurmët e ngjarjes së rëndë. Gjithçka ka ndodhur në afërsi të urës së Tapizës në rrugën Tiranë-Lezhë në orët e mbrëmjes. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Aulan Gjika, 14 vjeç, banor i Tapizës në Krujë, është gjetur i vdekur rreth orës 18.30 në lagjen “Grumbullim” të fshatit Tapizë, ndërkohë që nuk është thënë koha se kur është kryer aksidenti automobilistik. Policia deri më tani ka mundur të arrijë në konkluzionin se fëmija 14-vjeçar është shtypur nga një autoveturë, e cila e ka përplasur të riun që po ecte në këmbë në anë të rrugës. Mjeti ka qenë me shpejtësi dhe mendohet se drejtuesi i autoveturës duhet të ketë qenë i alkoolizuar. Ndërkohë mësohet se viktima i është nënshtruar ekzaminimit të plotë nga mjekët që kanë shkuar së bashku me grupin hetimor në vendin e ngjarjes. Rreth një kilometër më tej është gjetur një mjet i braktisur, i cili mendohet se është edhe autovetura që ka shkaktuar aksidentin me pasojë vdekjen e fëmijës nga Tapiza. Policia nuk ka dhënë targën e mjetit, pasi fillimisht do i nënshtrohet ekspertizës për të mësuar nëse është automjeti që ka shkaktuar tragjedinë apo jo. Nga ana tjetër policia e ka mbajtur të rezervuar edhe emrin e drejtuesit të veturës, ndërkohë që thuhet se do të duhet kohë për të gjetur autorin e këtij mjeti të sekuestruar pasi nuk rezulton e regjistruar. Kështu dje është shënuar një tjetër viktimë në rrugët e Shqipërisë, ndërsa autori i cili e ka përplasur 14-vjeçarin në anë të rrugës dhe përveç kësaj e ka braktisur pa i dhënë ndihmën e parë, e cila ndoshta mund t’i kishte falur dhe jetën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›