E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Shkodrës, nis investimi i 11 milionë eurove për rikonstruksionin

19/12/2008  Do të jetë faza e tretë që do të shënojë transformimin e të gjithë shërbimeve

SHKODER- Spitali rajonal i Shkodrës do të kthehet në një institucion shëndetësor model në vendin tonë. Në fillim të vitit 2009 do të nisë faza e tretë e rikonstruksionit të plotë të tij që pritet të përfundojë në vitin 2010. Vlera e projektit që financohet nga Banka Botërore e Qeveria shqiptare kap shifrën e rreth 11 milionë eurove. Burimet nga spitali rajonal i Shkodrës sqarojnë se projekti parashikon vazhdimin e rehabilitimit të spitalit të Shkodrës në përputhje me planin e përgjithshëm, master-planin. Faza e tretë e këtij projekti do të përfshijë përfundimin e realizimit të departamenteve dhe shërbimeve që janë përfshirë në master-planin fillestar. Në këtë master-plan përfshihet rehabilitimi i spitalit neuro-psikiatrik; rikonstruksioni i repartit të pediatrisë; ndërtimi i godinës ndërlidhëse midis spitaleve; ndërtimi i godinave të reja për endoskopinë; ndërtimi i pavijonit të pacientëve me sëmundje akute mendore; kuzhina; lavanteria si dhe zgjerimi i mjediseve teknike etj. Banka Botërore me mbështetjen e Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë të mundur ndërtimin e rehabilitimin e spitalit të kryeqendrës së veriut me një sipërfaqe prej 3.500 metra katrorë. Gjatë fazës së parë është ndërtuar objekti i ri në tetor të vitit 2000. Në fazën e dytë që përfundoi në prill të vitit 2006, u rehabilitua një sipërfaqe e përgjithshme prej 3.172 metrash katror dhe u realizua një ndërtim i ri 360 metra katror. Kjo fazë me financim prej 4.5 milionë dollarësh, përfshiu ndërtimin e departamentit të radiologjisë, rehabilitimin e katit të parë për departamentin e lindjes dhe dhomat e stafit të mjekëve gjinekologë, obstetër dhe oftamologë; rehabilitimin e ORL-së dhe vendosjen e 123 shtretërve në katin e tretë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›