Alarm në Greqi,shfaqet virusi i Nilit
Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të sëmundjeve në Greqi ka konfirmuar në prefekturën e Selanikut dhe zonat përreth, dy raste me encefalit, që janë shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor, ndërsa dyshohet edhe për nënte raste të tjera. Autoritetet po ndërmarrin masa të ashpra mbi spërkatjen me pesticide dhe informim të popullsisë. Virusi i Nilit Perëndimor bartet nga zogjtë dhe transmetohet tek njerëzit. Gjithashtu, ai mund të transmetohet edhe nëpërmjet pickimit nga mushkonjat e infektuara. Pasojat janë rritja e madhe e temperaturës, shenja të gripit e dhimbje muskujsh, por në shumicën e rasteve nuk shfaqet asnjë simptomë. Virusi rrezikon rëndë moshat mbi 60- vjeç. Vetëm Nju Jorku ka raportuar së fundmi raste të virusit të Nilit. Në SHBA ky virus është shfaqur rreth 15 vjet më parë, ndërsa në Greqi këto janë rastet e para.