E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm në bankat amerikane, frikë në Wall Street

Panik në Wall Street pas
lajmit se një nga bankat më
të mëdha, "Bear Stearns",
ka humbur 50 për qind dhe vlera
e saj është përgjysmuar në
bursë. Situata është përshkallëzuar
pasi ditët e fundit kishin
qarkulluar zëra për vështirësi të
pritshme në këtë institut bankar.
Drejtuesit e grupit kishin ndërhyrë
për të dhënë garanci, por
të premten, Presidenti dhe administratori
i deleguar i saj, Alan
Shvartz, ka pranuar se gjendja
financiare është përkeqësuar
ndjeshëm. "Bear Stearns" ka
kërkuar ndihmën e "Jp Morgan"
dhe të Rezervës Federale, që
kanë vendosur t‘i japin financime.
Nuk ka garanci, ka thënë
Shvartz, që edhe një shpëtim i
mundshëm ta lejojë bankën të
vazhdojë të punojë rregullisht,
për këtë motiv po shikohet
mundësia për financime të qëndrueshme
apo alternativa të
tjera. Gjithsesi, bëhet fjalë për
një krizë të madhe, kjo pasi "Jp
Morgan", që është hedhur në
ndihmë, është ngutur të sigurojë
aksionistët e vet që nuk do të ketë
asnjë pasojë domethënëse mbi
situatën e tyre financiare,
ndërkohë që të tjera burime
bëjnë të ditur se drejtuesit e të
dyja grupeve po mendojnë seriozisht
shitjen e "Bear Stearns"
grupit "Jp Morgan". Ekspertët
sqarojnë se "Bear Stearns" nuk
ka para të mjaftueshme për të
ecur përpara dhe në nivel të
përgjithshëm nuk bëhet fjalë për
një lajm konfortues për tërë sektorin
bankar. Problemet e kësaj
banke ndërkohë kanë dalë në
pah që në mes të 2007-ës dhe
janë përkeqësuar nga kriza e
kredive dhe e sektorit imobilar,
që ka goditur Shtetet e Bashkuara.
Vitin e shkuar, dy fonde
spekulative me vlerë prej miliarda
dollarësh, të menaxhuara
nga kolosi, kanë humbur pasi
gjithçka ishte investuar në tituj
të lidhura me kreditë. Ndërkohë,
Sekretari amerikan i Thesarit,
Henri Paulson, është shfaqur
optimist në lidhje me operacionin
e nisur të shpëtimit dhe sipas
tij masat e ndërmarra do të
"minimizojnë" dëmet. "Siç e
kemi pohuar prej kohësh, ka
shumë sfida në tregjet tona financiare
dhe do të vazhdojmë të
përballemi me to", ka thënë Paulson.
Optimist është dukur edhe
Presidenti i Rezervës Federale
Amerikane (Banka Qendrore e
SHBA), Ben Bernake, i cili për më
tepër ka marrë edhe përgëzimet
e Presidentit Xhorxh Bush. "Bernake
po bën një punë shumë të
mirë në rrethana shumë të vështira,
ka thënë Bush, por rezervat
dhe departamenti i thesarit do
të marrin të gjitha masat e domosdoshme
për të siguruar më
shumë likuiditet në tregje mbi
bazën e nevojës së momentit.
Jemi në një moment të vështirë,
por ekonomia do të ringrihet, ka
shtuar ai, sepse themelet janë të
forta dhe sepse bashkë me kongresin
kemi ndërmarrë masa të
rëndësishme stimulimi". Problemet
e "Bear Stearns" me likuiditetin
kanë ndezur një seri
shitjesh në bankat kryesore evropiane
dhe amerikane dhe i gjithë
sektori ka rezultuar në rënie. Në
Nju Jork kapitalizimi i "Bear
Stearns" është përgjysmuar pas
alarmit. Ndërkohë që kanë humbur
terren edhe "Citigroup", "Jp
Morgan", "Banka Amerikane", si
edhe shoqëritë e sigurimeve dhe
agjencitë gjysmë qeveritare.
"Dush i ftohtë" edhe për bankat
evropiane. Në Paris, "Bnp Paribas"
ka shënuar rënie e po ashtu
edhe "Societe Generale" që prej
kohësh është në telashe. Banka
Gjermane (Deutsche Bank), instituti
më i madh në Gjermani
dhe numri një i investimeve, ka
shënuar humbje. Edhe në
Londër, "Hsbc" dhe "Barclays"
janë në rënie. Në Zvicër dhe Itali
situata nuk është aspak më e
mirë. Efekti "Bear Stearns" është
ndjerë edhe në bursa, ku titujt
kryesorë janë luhatur dukshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›