E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI, jo viktimë e lojërave të Berishës

Ilir Meta denoncoi dje atë çka e cilësoi skandalin më të ri të kësaj qeverie me tenderin e kartave të identitetit. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim vlerëson se qeveria e Kryeministrit Sali Berisha po e realizon këtë tender, e kapur thellë nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e plotë. Meta konstatoi se LSI-ja prej kohësh ka paralajmëruar lidershipin e Partisë Socialiste se nëpërmjet bashkëpunimit të saj me Sali Berishën në emër të gjoja hapësirave për reformat po bie pre e dredhive. "Që kanë karakterizuar Berishën dhe politikën e vjetër, duke i krijuar mundësi atij për të përgatitur infrastrukturën e nevojshme për të realizuar manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2009", theksoi Meta. Lëvizja Socialiste për Integrim garanton se nuk do të bjerë asnjëherë viktimë e lojërave politike të Berishës. Që sipas Metës, në funksion të realizimit të qëllimeve të veta, ka shpërdoruar në mënyrë të paskrupullt, bashkëpunimin si me lidershipin e përparshëm, ashtu edhe atë aktual të Partisë Socialiste. Meta këmbënguli se në darën e korrupsionit dhe interesave të dyshimta, kjo qeveri ka injoruar qëllimisht rëndësinë e jashtëzakonshme që ka prodhimi i kartave të identitetit. "Dhe menaxhimi i bazës së të dhënave biometrike të popullsisë, për sigurinë kombëtare, për zgjedhjet e lira e të ndershme, por edhe për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, për integrimin e tyre në Evropë e më gjerë", argumentoi Meta. Drejtuesi i LSI-së shton se jo pa qëllim ky tender është organizuar në këto limite kohore, për të pasur pamundësi për ta shtyrë atë më tej dhe për të riparuar parregullsitë, pasi përndryshe do të vihet në pikëpyetje prodhimi i tyre për zgjedhjet e ardhshme në vitin 2009. LSI-ja gjeti rastin të denoncojë sjelljen korruptive të kësaj qeverie, që në hartimin e termave të referencës së këtij tenderi, si dhe ndryshimin e tyre shumë pranë datës së paraqitjes së ofertave, që kishin si qëllim mospjesëmarrjen në tender të shumë kompanive prestigjioze ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë. Partia e dytë e së majtës kundërshtoi edhe procesin e administrimit të ditës së tenderit, që sipas Metës ishte i turpshëm e qesharak. Në këtë drejtim, ai i cilësoi zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme veçse masha që ekzekutojnë vendimet korruptive e të paracaktuara të kësaj qeverie. "Kjo qeveri do të mbahet mend pikërisht për skandalet e mëdha dhe punët e vogla që ka bërë gjatë mandatit të saj", këmbënguli Meta. Ai i kërkoi njëkohësisht kabinetit qeverisës të reagojë në mënyrë të menjëhershme për të riparuar pasojat për këtë çështje me rëndësi të madhe kombëtarë. "Ndryshe, çdo pasojë që do të rrjedhë nga ky skandal i madh do të ketë emrin e Sali Berishës", paralajmëroi kreu i LSI-së. Dy ditë më parë Kuvendi u shndërrua në një arenë debati mes pozitës dhe opozitës, sa i takon tenderit për kartat e identitetit të shtetasve shqiptarë. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kërkuan largimin prej këtij procesi të të gjithë personave të akuzuar për afera korruptive. Në këtë linjë, sekretari organizativ socialist, Blendi Klosi, nguli këmbë te largimi i zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, dhe drejtorit të përgjithshëm të gjendjes civile, Armand Teliti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›