E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Në tryezë do të konsultoheshim për vendimet

Partitë e koalicionit të djathtë i kanë kujtuar PD-së dhe Kryeministrit Berisha se për të marrë vendime të rëndësishme, siç është ajo e reformës zgjedhore, duhet të bëhen konsultime në tryezën e koalicionit. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar dje se në tryezën që pritej të organizohej dje me të gjitha partitë e koalicionit të djathtë, nuk do të merreshin vendime përfundimtare, por do të diskutonin me njëri-tjetrin për të ditur qëndrimin zyrtar të PD-së. Ata do të kërkonin të njiheshin nga Kryeministri Berisha me mendimin e PD-së për reformën zgjedhore, me qëllim që të ketë një unifikim të qëndrimeve në radhë të parë te partitë e mazhorancës. Sipas kryetarit të PDK-së janë disa pyetje, si sqarimi i pozicionit të PD-së për çështjen e sistemit, koha kur kalojnë ndryshimet kushtetuese, apo dhe afati kur do të përfundojë reforma zgjedhore, të cilat kërkojnë një përgjigje nga demokratët. Më pas, thekson ai, duhet të bëhet një debat i hapur mes partive me qëllim që secila parti të shohë më pas pozicionin e saj në lidhje me ato propozime që qarkullojnë në formë zyrtare dhe jozyrtare prej disa ditësh. Dhe kjo, sipas PDK-së, por edhe partive të tjera të koalicionit të djathtë, arrihet vetëm nëpërmjet dialogut, që çon më pas drejt kompromisit. Ndoka ka theksuar se "kur të ketë debate, krahasime modelesh, kur të ketë argumente dhe kundërargumente, besoj se gjendet një e mesme e mirë". Ndërsa kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, është shprehur se formula për reformën zgjedhore është një formulë kushtetuese dhe brenda saj janë bërë devijime. Sipas tij, ndërkombëtarët kanë ngritur kërkesat e tyre, të cilat janë kartat e identitetit, listat e votuesve, shmangia e fenomenit të dushkut dhe komisionet zgjedhore. Për kryetarin e PR-së, sistemi aktual që ka politika shqiptare është më i miri i detyrimeve në raport me atë që voton dhe të përfaqësimit politik të partive. Ai ka theksuar se nuk është faji te sistemi, por çështja është te implementimi dhe procedurat që janë përcaktuar në kohë nga po këta njerëz që sot pretendojnë se janë bërë shtrembërime. Për Mediun nuk është vetëm nevoja e politikës shqiptare që të kuptojë se kush do të jetë sistemi, pasi sistemi lidhet drejtpërsëdrejti me votuesit shqiptarë dhe është e drejtë e qytetarëve shqiptarë që të arrijnë të gjykojnë me mendje të kthjellët se kush ofron pozitiven për qeverisjen për institucionin e Parlamentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›