Zbulohet rrjeti i trafikut të automjeteve nga Serbia
Policia e Fierit, pas hetimeve disamujore lidhur me origjinën e dyshimtë të automjeteve luksoze që qarkullojnë në këtë qytet, ka rënë në gjurmët e një rrjeti të ri trafiku automjetesh, që operon në linjën Serbi-Shqipëri. Burimet zyrtare policore bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se një numër automjetesh që qarkullojnë në qytet, janë vjedhur në Serbi. Ndërkohë, për disa automjete të tjera, për të cilat po hetohet, Serbia konsiderohet si një vend tranzit për kalimin e tyre. Kështu, mbrëmjen vonë të ditës së enjte, Policia e Fierit ka sekuestruar një automjet, i cili rezultonte të ishte i vjedhur në Serbi, ndërsa ka nisur për pronarin e tij procesin hetimor. Një listë me disa tipa automjetesh së bashku me numrat e shasive të tyre, është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Fierit nga Ministria e Brendshme, çka ka bërë që të nisin verifikimet për të gjitha mjetet e dyshuara. Në rrethin e Fierit, sipas policisë, mendohet të kenë ardhur një numër i madh automjetesh luksoze, ndërkohë që shumë prej tyre janë sekuestruar nga ana e policisë, pasi kanë rezultuar të vjedhura. Gjatë kësaj jave, ka qenë Policia e Durrësit që ka ndërmarrë një operacion të gjerë për sekuestrimin e mjeteve të vjedhura. Në dy ditë, Policia e Durrësit bllokoi gjashtë makina luksoze, pjesa më e madhe e të cilave ishin "BMW" të prodhuara vitet e fundit dhe të vjedhura në Itali në periudhën 2005-2008.