Fushë-Arrëz, var veten në pemë 26-vjeçarja
FUSHE ARREZ - Një 26-vjeçare nga Fushë Arrëzi i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur me litar në një nga pemët e oborrit të shtëpisë. Sipas policisë së këtij rrethi shkaqet që e kanë detyruar të renë të ndërmarrë një veprim të tillë janë ende enigmë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së dielës në një banesë, në të dalë të qytetit të Fushë-Arrëzit. Viktima, Vera Doda, 26 vjeçe është gjetur e vetëvarur nga i vëllai i saj, i cili menjëherë ka prerë litarin ku ishte varur e motra. Ai e ka transportuar drejt spitalit të qytetit, por ndihma mjekësore ka qenë e kotë, pasi e reja kishte ndërruar jetë. Mësohet se Doda i ka dhënë fund jetës në orët e para të mëngjesit, në momentin kur në shtëpi nuk ka pasur njeri. Burime nga policia bëjnë të ditur se në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje familjarët e viktimës për të mësuar më shumë në lidhje me shkaqet e vetëflijimit. Ata nuk kanë dhënë ndonjë dyshim mbi motivet, por janë shprehur se prej ditësh e reja ishte në gjendje depresive. Sipas policisë së Fushë-Arrëzit do të hetohet deri në zbardhjen e plotë të kësaj vetëvrasjeje që tronditi qytetin verior. r.d