Berat, gjendet i vetëvrarë gardiani 1 vit pas zhdukjes
BERAT/ DILAVER XHELILI
Pas një vit zhdukjeje gjendet i vdekur gardiani i burgut. Foto Buhali, 52 vjeç sipas policisë është vetëvrarë që në momentin e largimit nga shtëpia. Familjarët e kërkonin që prej prillit të vitit 2009, pa e ditur se kufoma e pajetë e tij ndodhej brenda një godine të braktisur, në lagjen “Kala” të Beratit, disa metra larg shtëpisë së tij. Babai i tre fëmijëve ishte zhdukur pa lënë gjurmë në mënyrë misterioze. Edhe pse familjarët kanë kërkuar ndihmën e kolegëve të tij për të gjetur, nuk është bërë e mundur pasi ai s’kishte lënë asnjë gjurmë. Burime të policisë bënë të ditur se trupi i pajetë i Buhalit u gjet rastësisht nga disa banorë të lagjes “Kala”, brenda një banese të braktisur prej 20 vjetësh. Trupi i dekompozuar u zbulua mbrëmjen e së shtunës, nga disa banorë të zonës. Ata kishin kaluar pranë ndërtesës së braktisur, kur kanë ndjerë në erë të rëndë. Njëri prej banorëve i është afruar derës, kur në një cep të dhomës së parë kanë parë trupin e një njeriu. Të alarmuar kanë lajmëruar menjëherë policinë e qytetit, e cila mbërriti për të kryer veprimet e para. Sipas policisë, të dhënat e para të ekspertizës konstatuan faktin se kufoma i përkiste shtetasit Foto Buhali, gardianit të burgut. Pranë trupit të tij u gjet dhe arma e punës që ai mbante. Ekzaminimi nga ekspertët ligjorë konkludoi se 52-vjeçari kishte një plumb në kokë, i dalë nga një armë e tipit TT, e cila korrespondonte me atë të pistoletës së punës. Familjarët e tij janë njoftuar menjëherë, duke mësuar fatin tragjik të njeriut të tyre. Ndonëse zhdukja kishte ndodhur prej 1 viti, ata kishin shpresë se kryefamiljari ishte gjallë. Sipas denoncimit që ata bënë menjëherë pas largimit pa adresë, Foto Buhali ishte larguar një mbrëmje prilli, me qëllim marrjen e shërbimit në burgun e Beratit. Pas pak orësh, kolegët e Buhalit kanë kërkuar nga familjarët e tij pse ai nuk po paraqitej në punë, ndërsa ai u kishte thënë se do të merrte turnin e natës. Familjarët kanë pritur dhe pak, por kur ai nuk është kthyer kërkuan ndihmën e policisë. Policia dyshon se po atë natë 52-vjeçari është drejtuar drejt shtëpisë së braktisur, ku në kushtet e tronditjes së rëndë psikike ka qëlluar veten. Pas zhdukjes së tij, policia pohoi se Buhali kishte marrë një sasi të konsiderueshme parash borxh. Ato i kishte shfrytëzuar në lojëra fati, por çdo kohë humbte, duke mos arritur të shlyente borxhin. Kolegë të tij kanë treguar se ditët e fundit ai kishte qenë shumë i mërzitur. Për policinë nuk ka dyshime se bëhet fjalë për një vetëvrasje, ndërsa motivet, pavarësisht pistave të para do të hetohet për të dalë në një konkluzion përfundimtar.