E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitoi kredi 20 mijë euro me dokumente false, nën hetim



POGRADEC – Pesë vite më parë përfitoi kredi bankare me dokumente të falsifikuara, por vetëm tani u arrit të zbulohej ky fakt. Policia e Pogradecit bëri dje të ditur se ka nisur hetimi në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë për 63-vjeçarin Ll.Vërtopi, banor i qytetit për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Sipas të dhënave të policisë, ky banor i Pogradecit, duke falsifikuar një dokument, ka arritur që në vitin 2005 të përfitojë jo pak, por një kredi me vlerë 20 mijë euro nga banka “Pro Credit” në këtë qytet. Policia që është sinjalizuar nga ana e bankës për këtë rast falsifikimi tha se 63-vjeçari do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, ndërsa do të detyrohet të shlyejë kredinë dhe interesat e saj. Gjatë pesë viteve, Vërtopi ka mundur të shfrytëzojë kredinë e dhënë në vlerën 20 mijë euro nga banka, por më pas, kur nuk i është përgjigjur në rregull detyrimeve ndaj saj janë zbuluar edhe shkeljet në falsifikimin e një dokumenti me anë të të cilit e siguroi kredinë. Veprimet procedurale për të u kryen gjatë të premtes, ku autorit i është komunikuar dhe akuza zyrtare. Hetimet ndaj tij po kryhen nga ana e Prokurorisë së Pogradecit. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›