E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti bën pazar me Lazaratin

Peizazh nga Lazarati

Në këmbim të mosmbjelljes së hashashit, zyrtarët premtuan se do të japin fara të tjera bimësh fitimprurëse

Blerim Shehu GJIROKASTËR – Zyrtarë të lartë të policisë dhe strukturave të tjera vendore i premtuan dje lazaratasve se do t’i japin fara bimësh të tjera fitimprurëse, në këmbim të mosmbjelljes së hashashit.  “Nëpërmjet ministrit tonë, do të nxisim të gjitha iniciativat për ta zëvendësuar këtë bimë, me bime të tjera fitimprurëse të ligjshme. Policia e ka goditur këtë fenomen në të gjitha ato vende ku ishte mbjellë vitin e kaluar, por në Lazarat nuk u ndërhy për shumë arsye. Ju them që këtë vit policia është e vendosur ta godasë këtë fenomen në çdo cep që ai shfaqet, ndaj jemi sot këtu”- pohoi dje mes të tjerave njëri nga Zëvendës Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kryekomisar Agron Kuliqi. Në fakt, ky ishte thelbi i fushatës së luftës kundër mbjelljes dhe kultivimit të bimëve narkotike që nisi dje në Gjirokastër. Mesditën e së premtes përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, drejtorisë Rajonale të Arsimit, si dhe babai i Teqesë së Zallit, Besnik Fekushi, ishin të pranishëm në një takim të zgjeruar me banorët e fshatit Lazarat, në rrethin e Gjirokastrës. Në këtë takim merrnin pjesë gjithashtu banorë të fshatit, mësues e nxënës të shkollës së mesme etj. Takimin e çeli kryetari i kësaj komune Dashamir Aliko, i cili kërkoi nga bashkëfshatarët e tij për të kontribuar të gjithë së bashku që edhe fshati Lazarat të largohet përfundimisht nga harta e kultivimit të bimëve narkotike. Ai ka theksuar se “në çdo mbledhje që ai ka marrë pjesë me drejtues të qeverise kryefjala ka qenë fshati Lazarat. Ndaj, - vijoi Aliko, iu bëj thirrje të gjithë banorëve të këtij fshati të punojmë që ta heqim këtë njollë të zezë. Çdo fillim ka një fund dhe unë mendoj se ky vit është dhe viti i skadencës së këtij fenomeni”. Babai i Teqesë së Zallit, Besnik Fekushi iu është drejtuar të gjithë banorëve të këtij fshati që të heqin dorë nga kjo bimë e ndaluar. Ai theksoi se “do të shkoj shtëpi më shtëpi për të kontribuar që ky fshat të mos ta kultivoje më bimë narkotike.” Drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Komisar Hysni Burgaj, theksoi gjatë fjalës së tij se këtij fenomeni i duhet thënë “stop”. “Për këtë, ka vijuar ai, ne jemi duke punuar së bashku me përfaqësuesit tuaj lokalë, me shkollën, me pleqësinë, me të gjithë të punësuarit, që të sensibilizojmë të gjithë banorët se këtij fenomeni i ka ardhur fundi”, - pohoi Burgaj. Më tej Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Kryekomisar Agron Koliqi, vlerësoi takimin si të një rëndësie të veçantë. “Fshati juaj është cilësuar si një nga vendet më problematike në drejtim të kultivimit të kanabisit. Në çdo takim me të huajt, është përmendur emri i fshatit tuaj”, - i është drejtuar Kuliqi, komunitetit të Lazaratit. “Qeveria e ka prioritet luftën kundër këtij fenomeni, pasi ne presim të anëtarësohemi në NATO dhe BE. Por që të realizohet ky anëtarësim duhen përmbushur disa kushte dhe një nga këto kushte është edhe eliminimi i këtij fenomeni”, - u shpreh kryekomisari. “Ne jemi sot këtu, - vijoi Kuliqi, për të bashkëbiseduar me ju që të gjejmë gjuhën  e përbashkët, që të mos arrijmë në veprime force. I dimë të gjitha problemet sociale që jemi vend i varfër, por këto probleme nuk përligjin kultivimin e kanabis sativës”. Më pas banorët e fshatit Lazarat që e kanë marrë fjalën, vlerësuan takimin për faktin që po zhvillohet në qendër të fshatit dhe me gjithë banorët. “Ne duam që policia të vijë në fshat ballëhapur dhe jo fshehurazi”, - pohuar ata. Banorët theksuar se do të bashkëpunojnë me policinë dhe komunën që ky fenomen edhe në këtë fshat të shkojë drejt minimizimit dhe eleminimit. Ndërkohë ata kërkuan një vëmendje më të madhe nga ana e qeverisë, pasi në fshat ka plot djem dhe vajza me shkollë të lartë, të cilët janë të papunë, si dhe të shikohet mundësia e kultivimit të bimëve të tjera të ligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›