E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksa e pastrimit, shtyn buxhetin

Keshilli Bashkiak

Të majtët: Laçi ka taksë pastrimi më të lartë se Tirana. Të djathtët: ky nuk është argument për rritjen e taksës

Konfliktet e fundit në gjirin e së majtës, nuk kanë kaluar pa u pasqyruar edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Kjo u vu re fare qartë, edhe gjatë ditës së djeshme, ku mungesa e këshilltarëve të LSI-së, u dha mundësi të djathtëve të shtyjnë projektbuxhetin e prezantuar nga Bashkia për vitin 2008. I ftuar për të bërë të njohur prioritetet e bashkisë për vitin në vazhdim, kryebashkiaku Edi Rama, e ka pasur të pamundur të kalojë projektbuxhetin, vetëm me kartonët e socialistëve të pranishëm në sallë. Pika më e nxehtë e debatit, që ka degraduar në bojkote të herëpashershme, ka qenë propozimi i mbërritur nga bashkia për rritjen e disa prej taksave vendore. Konkretisht, Bashkia e Tiranës, ka propozuar të rrisë taksën e pastrimit nga 2 100 lekë që është aktualisht, në 3 mijë lekë për vitin në vazhdim. Po kështu, bashkia ka kërkuar të rishikohet edhe taksa e gjelbërimit. Ajo ka menduar që për vitin 2008, kjo taksë të jetë nga 200 në 400 lekë në muaj. Kryebashkiaku Edi Rama, e ka argumentuar rritjen e taksës së pastrimit dhe të gjelbërimit, si një detyrim të bazuar mbi prioritetet e përcaktuara nga qytetarët, të cilët e kanë vendosur pastrimin si prioritet kryesor në masën 87.8 për qind. Në prezantimin e projektbuxhetit, Rama ka bërë të ditur se gjatë këtij viti, pastrimi i qytetit ka 32 për qind më shumë fonde bashkiake. Ai tha se ky sektor i rëndësishëm në punët e kryeqytetit do të bazohet në një skemë të re si edhe në një listë të riformuluar të detyrave që duhet të kryejnë kompanitë e pastrimit. Megjithë argumentin e kryebashkiakut Rama, të djathtët nuk janë bindur aspak lidhur mbi rritjen e taksës vendore. Ata janë shprehur se përderisa qytetarët e Tiranës nuk gëzojnë një qytet të pastër, atëherë nuk kanë përse të kenë një rritje të taksës së pastrimit apo qoftë edhe të gjelbërimit. Por këshilltarët socialistë nuk janë tërhequr në luftën për të kaluar më tej projektbuxhetin e paraqitur nga bashkia. Lidhur mbi rritjen e taksës së pastrimit, ata kanë argumentuar se nuk mund mbajmë të njëjtën tarifë, ndërsa një qytet si Laçi, shumë herë më i vogël se Tirana, e ka 3 mijë lekë në vit. Por edhe ky argument nuk duket se i ka bindur shumë të djathtët, të cilët falë edhe bojkotit të këshilltarëve të LSI-së, kanë mundur të shtyjnë projektbuxhetin në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, me kërkesën për rishikim të tarifave vendore.     Infrastruktura rrugore dominon projektbuxhetin Bashkia e Tiranës ka vendosur si prioritete të financimeve për vitin 2008, infrastrukturën rrugore, atë parauniversitare, gjelbërimin, pastrimin dhe ngritjen e shërbimeve sociale. Përkatësisht fondi i projektuar për programin e investimeve në infrastrukturën rrugore do të jetë 6,7 miliardë lekë, ku janë parashikuar disa ndërhyrje të rëndësishme, në 5 blloqe banimi të cilat shtrihen në një territor të konsiderueshëm. Përveç projekteve të tjera që parashikohen nga ky buxhet, bashkia, ka menduar të ndërhyjë edhe në rreth 55 rrugë dytësore dhe treta të identifikuara nga komunitetet si zona ndërhyrjeje emergjente. Në prezantimin e këtij zëri të rëndësishëm për kryeqytetin, kryebashkiaku Edi Rama, u shpreh se këto rrugë janë paraparë në sistemim-asfaltim. Ato parashikohen të shkojnë deri në 117, 554 m2 rrugë të sistemuara, ndërkohë që me fondin e mbetur nga sistemim-asfaltimi i vitit të shkuar, mendohet që mund të plotësohen të gjitha nevojat e identifikuara për këto rrugë. Përsa i përket programit të investimeve në sistemin arsimor parauniversitar, bashkia ka menduar të lëvrojë një fond prej 1,4 miliardë lekësh. Ky fond do të përfshijë rikonstruksionin e 3 palestrave, rikonstruksionin e 2 kopshteve, si edhe vazhdimin e zbatimit të projektit që financohet nga kredia e Bankës së Këshillit të Evropës për ndërtimin e 5 shkollave të reja si edhe rikonstruksionin e 12 shkollave ekzistuese. Programi parashikon gjithashtu edhe vazhdimin e dhënies së stimulit për nxënësit e dalluar në sistemin parauniversitar. Një tjetër program i rëndësishëm investimesh i parashikuar në projektbuxhetin e paraqitur nga bashkia, është edhe ai ngritjes së shërbimeve sociale dhe strehimit, ku këtë vit janë lëvruar 693 milionë lekë. Në programin e këtij viti parashikohet të ndërhyhet në ndërtimin e 3 qendrave komunitare, në funksion të një projekti që bashkia mendon të realizojë brenda vitit 2011, për të pasur një qendër komunitare në çdo njësi bashkiake. Gjithashtu në zërin e shërbimeve sociale edhe për këtë vit janë parashikuar “bonuset e qirasë”, “bonuset për të sapolindurit” dhe “ndihma ekonomike me punë në komunitet”. Një vend të rëndësishëm në projektbuxhetin e propozuar nga Bashkia, zë edhe programi i investimeve në shërbimet publike, ku përkatësisht është menduar që fondi për gjelbërimin të jetë 1.1 miliardë lekë dhe për pastrimin e qytetit 560 milionë lekë. Kryebashkiaku Edi Rama, duke u ndalur në programin e gjelbërimit, ka shpjeguar se ky është një program kompleks, kjo pasi për herë të parë futet si nocion “rikualifikimi urban”. Kjo do të thotë që zonat ku ka hapësira, siç mund të jetë Unaza ekzistuese, që janë tërësisht të papërdorshme e të degraduara, do të vihen në funksion të komunitetit, duke krijuar kënde ndenje, lojërash, të gjelbra, skulptura etj. “I njëjti koncept,- ka sqaruar kryebashkiaku Edi Rama,- do të përdoret edhe për sheshin “Shtraus”, sheshin te “21 Dhjetori”, sheshin në Kombinat, të cilat mund të jenë shumë mirë qendra të vërteta të njësive edhe në vizionin e qytetit policentrik. “Më tej ai ka informuar se bashkia është në finalizim të bashkëpunimit me donatorë për zbatimin e projektit të Parkut të Liqenit, të vetë Liqenit dhe të Kopshtit Zoologjik. Kryebashkiaku Rama nuk ka harruar pa përmendur në prezantimin e projektbuxhetit edhe problemin që paraqet sot pastrimi në Tiranë. Ai tha se ajo që ndodhi në zonën perëndimore të Tiranës ishte një situatë shumë e rëndë e shkaktuar nga pamundësia totale, e kompanisë për të përballuar shërbimin. Për të parandaluar mangësitë e vërejtura, Rama, tha se për të realizuar një pastrim dinjitoz për qytetin, duhet të shkojmë pranë kostos që ka sot pastrimi. Një pjesë të mirë të fondeve bashkiake për vitin 2008, do t’i zerë edhe programi i investimeve në transportin publik, ku janë parashikuar të derdhen 52 milionë lekë. Edhe gjatë këtij viti, bashkia e Tiranës do të vazhdojë financimin e infrastrukturës së këtij shërbimi përsa i përket sinjalistikës, kjo për të disiplinuar qarkullimin e makinave. “Plani i ri i qarkullimit dhe i lëvizjes, sidomos krijimi i shumë rrugëve me një kalim, që është një plan i bërë në bashkëpunim me drejtorinë e Policisë Rrugore, është një mundësi që solli një përmirësim të ndjeshëm të trafikut. Nga ana tjetër, shpresoj që t’i realizojmë më në fund edhe ato parkime nëntokësore të cilat Këshilli Bashkiak i ka miratuar më shumë se një vit më parë”, është shprehur kryebashkiaku Rama në përfundim të prezantimit të projektbuxhetit bashkiak për vitin 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›