E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjakmarrje në Shkodër

Shkodra

Brenda 10 minutash fshati Trush në Shkodër u përgjak fillimisht nga vrasja e Nikoll Marlocajt e më pas nga ekzekutimi i Luçe Rrethit

SHKODËR – Të verbuar nga ndjenja e hakmarrjes, të afërmit e Nikoll Marlocajt morën flakë për flakë hakun për vrasjen e njeriut të tyre dje. Vetëm 10 minuta pasi iu vra njeriu i tyre, ata vranë gruan e autorit të krimit, Luçe Rrethin. Vrasja e dytë e cilësuar për gjakmarrje, në fakt është krejt antikanunore, në emër të cilit kryhen zakonisht këtë krime mesjetare që gjithsesi e ndalojnë vrasjen e grave për gjak. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17.30 të ditës së premte, mbetën të vrarë Nikoll Marlocaj, 48 vjeç dhe Luçe Rrethi 40 vjeçe. Dy viktimat ishin fqinj me njëri-tjetrin, dhe i ndante vetëm një rrugë e ngushte fshati. Akoma nuk dihet motivet e këtyre dy vrasjeve e policia është e rezervuar në lidhje me bërjen publike të pistave të hetimit. Ngjarja Rreth orës 17 e 30, në fshatin Trush u vra me armë zjarri, tip automatik, Nikoll Marlocaj 48 vjeç. Për policinë, autori i vrasjes është Lazër Rrethi. Pas kryerjes së vrasjes, Lazri u largua nga vendi i ngjarjes së bashku me armën e krimit për tu kapur vetëm 1 orë më vonë nga policia. Ndërkohë sapo dëgjuan të shtënat, të afërmit e Nikollës dolën me shpejtësi dhe e panë atë të shtrirë përtokë në një pellg gjaku. I ndodhur para një skene të tillë makabër, një nga të afërmit e Nikollës, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u fut me shpejtësi në banesë, ku mori një pistoletë për të marrë gjakun e të afërmit. Personi i parë që i doli përballë, ishte gruaja e Lazrit, Luçja, të cilën e qëlloi për vdekje disa herë. Hetimi   Me të mësuar ngjarjen e ndodhur në Trush, policia u nis me shpejtësi në fshatin Trush. Pasi panë me sytë e tyre dy kufomat fare pranë shtëpive të tyre, si dhe grumbuj njerëzish të tensionuar nga të dy familjet, menjëherë për atje u nisën forca të shumta të policisë dhe të FNSH-së.   Pas arrestimit të Lazër Rrethit, 1 orë pas krimit, policia shoqëroi edhe një numër prej rreth 30 personash që mendohet se kanë informacion për vrasjen e parë, atë të Nikollës. Situata në Trush është tejet e tensionuar, çka detyroi policinë të dërgojë atje forca të shumta policore dhe automjetesh,duke formuar një mur ndarës mes dy familjeve të cilat nga çasti në çast priteshin që të konfrontoheshin midis tyre. Motivet Në lidhje me motivet e këtyre  vrasjeve, policia e Shkodrës tregohet tepër e rezervuar, por vetëm pohojnë se po hetojnë në disa pista, por pa arritur që të saktësojë ndonjë si më të mundshmen. Vrasja e dytë, ajo e Luçe Rrethit, është përcaktuar për momentin si vrasje për gjakmarrje nga të afërmit e Nikollës, ndërsa nga burime konfidenciale mësohet se mes dy burrave viktimës dhe autorit Rrethi ka pasur gjatë ditëve të fundit një konflikt i cili ende nuk është i qartë nëse është për pronat, apo për motive të dobëta dhe “histori grash” në mes. Çdo gjë pritet të jetë e zbardhur sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›