E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Po shkelet barazia në tendera

Partia Socialiste denoncoi dje shkeljen e barazisë në tendera dhe ligjet fiskale. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, ka marrë shembullin e një kontrate koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve mbi Devoll. Sipas tij, "procedura është me shkelje të rënda të ligjit dhe barra bie mbi 16 zyrtarë të qeverisë shqiptare". Deputeti Braçe shton se "kontrata vjen në kundërshtim me disa nene të Ligjit ‘Për koncesionet‘ dhe vjen në kundërshtim me ligjin fiskal". Sipas tij, "nga moszbatimi i ligjit dhe i shkeljes së barazisë në tender, shteti pëson dëm ekonomik të ndjeshëm, nga afati i pallogaritur para hapjes së procedurave dhe nga koha e papërcaktuar në këtë kontratë, nga penalitetet dhe rimbursimet që duhet të bëjë shteti në favor të koncesionarit". Deputeti Braçe thekson se kontrata ka shkelur 12 nenet e koncesionit, nuk ka një afat dhe në procedurat e prokurimit janë evidentuar shkelje nga vetë komisioni i vlerësimit të ofertave. "Është shkelur neni 9, pika 2 e ligjit "Për koncesionet, sepse nuk është zbatuar detyrimi i ministrisë përgjegjëse për të verifikuar e provuar rentabilitetin dhe përshtatshmërinë financiare të projektit dhe më tej të vazhdonte procedurat për dhënien e koncesionit", tha Braçe, duke shtuar se "kjo shkelje është e dukshme, sepse në asnjë rast të procedurave të ushtruara para dhe gjatë tenderit nuk ka rezultuar që ky projekt të mos ishte fiksibël brenda periudhës normale prej 35 vitesh për kohëzgjatjen e kontratës koncesionare". Sipas nënkryetarit kuvendor socialist, ka abuzime nga ana e shtetit, të cilat favorizojnë fitime kolosale për kompaninë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›