E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Alarm" shkodran, duhen 3 lojtarë



Ndërsa duhen më pak se dy javë nga startimi i kampionatit, te Vllaznia punët nuk duken se shkojnë dhe aq mirë. Ndonëse kuqeblutë po u japin dorën e fundit përgatitjeve në Zllatibor të Serbisë, ekipi nuk duket i kompletuar me elementët e duhur. Në fakt, në prag të nisjes për në Serbi më datë 25 korrik, skuadra në 90 % të saj ishte e kompletuar, prandaj shihej me entuziazëm mbushja e boshllëqeve të krijuara. Gjatë kësaj faze përgatitore janë afruar mjaft lojtarë, por paraqitja e tyre ka lënë për të dëshiruar, duke u larguar andej nga kishin ardhur.
U përfol gjatë se do të afroheshin një mesfushor kosovar dhe një sulmues paraguaian, por nëse i pari erdhi dhe qëndroi 8 ditë në provë, duke mos dhënë atë që pritej, i dyti nuk u pa asnjëherë. Gjithashtu gjatë qëndrimit në Zllatibor, kuqeblutë provuan edhe 3-4 lojtarë serbë në sulm dhe në mbrojtje, por edhe ata dështuan.
Problemet
Duke parë emergjencën e krijuar, drejtuesit e klubit janë mjaft të shqetësuar dhe po bëjnë gjithçka për të afruar të paktën edhe tre lojtarë. Kështu, nga burime pranë stafit teknik mësohet se ekipit i mungon një mbrojtës, por edhe një mesfushor qendre në rolin e organizatorit. Megjithatë, këto nuk janë të vetmet pika nevralgjike, ku Vllaznia ka nevojë, pasi edhe reparti i sulmit nuk është në lartësinë e duhur. Gjatë ndeshjeve miqësore është parë qartë se Vllaznisë i mungon njeriu-gol. Krerët e klubit shkodran në fillim të fazës përgatitore nuk rinovuan me Doçin, i cili është larguar tashmë si dhe "dëbuan" Lecin e malazezin Mrvaljeviç, lojtarë këta që luajnë në krahun e majtë të mbrojtjes, duke e lënë këtë repart tërësisht të zbuluar. Gjatë kësaj periudhe, stafi teknik i Vllaznisë ka provuar në këtë rol Gocajn dhe Belishën, që mesa duket nuk kanë bindur, prandaj i kanë kërkuar presidencës të shohë mundësinë e afrimit të ndonjë mbrojtësi tjetër. Faktikisht, edhe një javë më parë, në prag të një takimi miqësor, Vllaznisë iu bashkua një tjetër mbrojtës nga Serbia, por aventura e tij me kuqeblutë nuk zgjati më shumë se dy orë, pasi rezultoi një dështim i vërtetë. Stafi teknik kërkon menjëherë që të bëhen këto ndërhyrje, në të kundërt nuk do të hyjnë në "vallen" e ekipeve pretendente. Kështu, shkodranëve u duhet patjetër të afrojnë një mbrojtës për ta kompletuar repartin difensiv, por edhe një mesfushor organizator, tepër i nevojshëm për shkodranët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›