E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani bën spastrime, mbeten 18 lojtarë



Elbasani i sezonit të ardhshëm ka marrë formë ditën e djeshme. Verdheblutë kanë kryer seleksionimet e fundit, ku kanë lënë në ekip vetëm futbollistët e nevojshëm. Dhe kjo pasi në skuadër ishin një pjesë e madhe lojtarësh që jo vetëm nuk paraqiteshin, por që stërviteshin duke prishur më shumë punë, në prag të startit të sezonit të ri futbollistik. Nga informacionet e marra, te verdheblutë kanë mbetur vetëm lojtarët kryesorë duke filluar nga portieri Llani, Ramazani, Muça, Kuçi, Gava, Hyshmeri, Kaçuli, Merxha, çapja, Sadiku, Raboshta, Bakiu, Bello, Dushku, Ibrahimi, Pine, si dhe dy lojtarët maqedonas. Tashmë që gjithçka ka përfunduar, drejtuesit e klubit pritet që duke filluar nga dita e sotme të nisin nënshkrimin e kontratave me pjesën e mbetur të lojtarëve. Midis të dyja palëve është arritur marrëveshja verbale, ndërkohë që mungon vetëm firma. Sipas informacioneve të marra, gjatë kësaj jave te vedheblutë mund të ketë shumë ndryshime, madje edhe largime lojtarësh. Këta të fundit, edhe pse është thënë se janë pjesë e Elbasanit, mund të sjellin surpriza, nëse nuk bien dakord për kushtet ekonomike.
Përforcimet - Në ditët në vazhdim te verdheblutë do të mbërrijnë të paktën edhe dy lojtarë të tjerë. Nga informacionet e marra, njëri prej tyre është qendërmbrojtës ndërsa tjetri luan në repartin e sulmit. Duhet thënë se këto janë dy pozicione ku Elbasani ka shumë nevojë. Gjithashtu gjatë kësaj jave pritet që të ketë dhe një takim përfundimtar përsa i përket anës financiare, që do të investojnë tre aksionerët e klubit. Qëllimi i takimit është që t'i jepet fund makthit që ka mbërthyer tifozët verdheblu, lidhur me investimet. Presidenti laze është shprehur se po këtë javë në ekip pritet të ketë afrime lojtarësh. Por sipas tij kjo do të ndodhë vetëm atëherë, kur drejtuesit e skuadrës të jenë bindur për aftësitë futbollistëve të marrë në provë. Gjithashtu presidenti shtoi se Elbasani është pranë nënshkrimit me dy futbollistë shqiptarë. Nga ana tjetër, zv.presidenti Cërraga si dhe përfaqësuesit e tjerë të klubit janë duke punuar në pista të ndryshme, madje dhe jashtë Shqipërisë, me qëllim përzgjedhjen e elementëve në këto orë të fundit të merkatos. Deri tani ka mjaft menaxherë të cilët i kanë ofruar Elbasanit dhe drejtuesve të tij shumë lojtarë, por trajneri Alimehemti së bashku me stafin e tij kanë vendosur që të në skuadër të provojnë vetëm ata që njihen dhe që mund të përshtaten me skuadrën. Aldi Kozaria

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›