E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektohet formacioni, Muzaka titullar



Gjergji Muzaka pritet të jetë e veçanta e formacionit kuqezi për miqësoren e 11 gushtit me Uzbeksitanin. Sipas asaj që trajneri Josip Kuzhe vendosi në stërvitjen e djeshme, mesfushori pritet të luajë në krahun e djathtë. Forma e tij e shkëlqyer, ka bindur kroatin për t’i dhënë lojtarit të Dinamos një shans në këtë miqësore. Ndërkohë, duket se në mungesë të Ervin Skelës, rolin e fantazistit do ta bëjë Klodian Duro. Ky i fundit rikthehet në vendin e tij të preferuar, teksa në Kombëtare ka sakrifikuar shumë, duke luajtur në pozicione të ndryshme. Nga ana tjetër, kreu i pankinës kuqezi, përtej formës së mirë të Kapllanit, përsëri do t’i besojë Bogdanit dhe Salihit në sulm. Gjithsesi, nuk është përfundimtare, pasi Kuzhe do të shikojë edhe sot se si do të reagojnë lojtarët në stërvitjen e fundit.
Të tjerët
Në vendet e tjera, bie në sy rikthimi në portë i Arjan Beqajt. Në fakt, do të jetë më shumë një provë për “veteranin”, i cili ka kohë pa u aktivizuar me Kombëtaren. Vlen për t’u përmendur se portieri tjetër, Isli Hidi, ka treguar një gjendje të mirë. Në mbrojtje do të luhet me katër në vijë, teksa nga e djathta do të jetë si zakonisht Dallku, në qendër Cana me Currin dhe në të majtë Vangjeli. Dyshja e qendrës së mesfushës do të përbëhet nga Duro dhe Bulku, ndërsa nga krahët pritet të vendoset Muzaka e Agolli. Ky i fundit do të ketë më shumë detyra sulmuese, ndryshe nga ndeshjet e kaluara. Në testin e djeshëm në kompleksin “Skënder Halili”, me grupin e lojtarëve titullarë luajtën për pak minuta edhe Gilman Lika me Andi Lilën. I pari zëvendësoi Muzakën, ndërsa i dyti Bulkun, duke zënë vend në mesfushë, si shkatërrues. Lila e ka bërë mirë këtë pozicion në ndeshjen miqësore kundër Malit të Zi. Për paraqitjen e tij foli me superlativa edhe vetë trajneri Kuzhe, i cili ndër të tjera pohoi se u fitua një lojtar. J.Memo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›