E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasanbelliu premton: Do ketë të tjera përforcime



Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ka analizuar rivalët duke mos e fshehur faktin se durrsakët nuk janë një ekip pretendent për këtë sezon. "Pretendimet tona nuk priten në tabelën e klasifikimit, se sa në harmonizimin e ekipit dhe kristalizimin e formacionit të tij. Në skuadër nuk ka më asnjë të parë dhe asnjë të fundit, por të gjithë njëlloj e ndjejnë peshën e përgjegjësisë së lojës dhe të rezultatit. Dy ndeshjet e fundit miqësore të planifikuara, sigurisht do t'i shërbejnë teknikut Martini për të kolauduar formacionin kryesor të Teutës, me të cilin do të fillohet edhe java e parë e kampionatit më 21 gusht", ka thënë Hasanbelliu. Ndërkohë, në lidhje me kërkesat e bëra për përforcime nga trajneri Edi Martini, numri një i presidencës, Hasanbelliu tha: "Edhe unë jam i bindur se mbrojtja ka nevojë për përforcime. Me largimin e dyshes Jakupi-Dushku, është krijuar boshllëk i ndjeshëm në qendër të mbrojtjes, ndonëse përpjekjet e Ninos dhe Rustem Hoxhës janë për t'u vlerësuar. Shumë shpejt pranë ekipit do të ofrohet një qendërmbrojtës tjetër, emrin e të cilit për momentin nuk kam dëshirë ta bëj publik. Ndërkohë që edhe në repartin e mesfushës dhe sulmit po mendohet për përforcime. Teuta tashmë po transformohet në një ekip kompakt, ku rolin kryesor e luan jo individi, por kolektivi". Bujar Qesja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›