Kombëtarja “jetime”, ngel pa fushë stërvitjeje
Sa qesharake, po aq dhe tragjike! Kombëtarja shqiptare dje ka mbetur për më shumë se një orë duke pritur për një fushë stërvitjeje. Autobusi i nisur nga hotel "Tirana Internacional" me lojtarët e ekipit përfaqësues ka udhëtuar kot nëpër Tiranë me "shpresën" e një fushe të lirë. Në fillim, kuqezinjtë i janë drejtuar stadiumit "Selman Stërmasi" për të zhvilluar atje një seancë stërvitore, por aty kanë gjetur kundërshtarët e tyre të radhës, ekipin përfaqësues të Uzbekistanit, i cili sipas programit të dhënë nga Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillonte stërvitjen dje në këtë impiant. Më pas Kombëtarja është larguar në drejtim të fushës stërvitore "Skënder Halili" në qytet të nxënësve, ku zakonisht kryen seancat stërvitore skuadra e Tiranës. Pikërisht në orarin e kërkuar nga Kombëtarja, në këtë fushë ka qenë edhe klubi bardheblu, prandaj kuqezinjve u është dashur që të presin në fushën përbri, aty ku stërviten "çunakët" e Tiranës derisa skuadra e drejtuar nga Starova zbrazi "Skënder Halilin" duke ia lanë Kombëtares. Faktikisht, federata i kishte bërë kërkesë klubit të Tiranës që dy javë më parë se në datën e djeshme do të bënte stërvitje në fushën e "Skënder Halilit", por siç duket klubi bardheblu nuk e ka marrë shumë seriozisht Kombëtaren. Kjo nuk është hera e parë që kuqezinjtë rropaten për një fushë stërvitjeje. Para ndeshjes me Suedinë, në vitin 2008 kur Kombëtarja drejtohej nga Ari Han, kuqezinjve nuk iu lejua që të bënin stërvitje në stadiumin e Shijakut. Drejtuesit vendorë u patën mbyllur dyert duke e lënë ekipin jashtë kangjellave.