Tirana, lojtarët kërcënojnë me bojkot
Futbollistët e Tiranës kanë vendosur që të bojkotojnë stërvitjen derisa klubi t'u shlyejë atyre rrogat e prapambetura. Ata gjithashtu i kanë kërkuar ndihmë Federatës Shqiptare të Futbollit për të zgjidhur këtë problem. Situata aspak e kënaqshme ka bërë që lojtarët të mos e durojnë më dhe t'i drejtohen institucionit numër një të futbollit shqiptar për t'i ndihmuar. Në FSHF ka një shumë parash, që klubi po pret ta tërheqë. Këto të ardhura janë përfituar nga pjesëmarrja në paraeliminatoret e Ligës Evropiane. Por paratë nuk janë marrë ende, pavarësisht kërkesës së bërë nga drejtuesit e klubit, për shkak të vonesave të dala.
Pa rroga
Futbollistët e Tiranës kanë tre muaj pa marrë rrogat.
Gjendja është e tillë te bardheblutë që prej muajit qershor, ku asnjë shumë parash nuk u është dhënë futbollistëve nga klubi. Kjo situatë është shndërruar në problematike për lojtarët, të cilët kërkojnë shpjegime. Një nga shqetësimet e tyre është që të ketë siguri financiare në klub. Më parë, disa prej tyre janë takuar me donatorin Halili, ku ky i fundit u ka garantuar siguri të plotë. Në bazë të marrëveshjes së bërë mes Halilit dhe Dimrajt do të kenë të dy të drejtën e firmës dhe të vulës. Kjo do të thotë që edhe kontratat kur të firmosen, përveç futbollistëve, do të nënshkruhen edhe nga vetë ata të dy.
Arka
Klubi bardheblu është në ditët më të këqija, pasi arka është bosh. Nisur nga gjendja, shefi Rauf Dimraj kërkoi nga donatori Halili të derdhë shumën e parave në bazë të kontratës së firmosur. Kryeqytetasit kanë për të marrë nga FSHF-ja rreth 150 mijë euro, të përfituara nga pjesëmarrja në Ligën Evropiane. Ndërkohë që Halili duhet të derdhë në arkat e klubit shumën prej 200 milionë lekësh të vjetër, ashtu si donatorja tjetër Shefikat Ngjela. Por asnjë nga këto burime të ardhurash s'është përfituar deri tani, duke e lënë arkën e klubit bosh.