Alarm terrorist në Kupën e Botës. Angli-SHBA, sfidë me rrezikshmëri
Sipas “Red24”, shoqërisë londineze të specializuar në sigurinë ndërkombëtare, bëhet fjalë për të njëjtin grup që sulmoi Togon në Kupën e Afrikës
Yjet e përfaqësueses britanike janë në shënjestër të një celule islamike në Afrikën e JugutShërbimet angleze të sigurisë mendojnë se yjet e përfaqësueses së drejtuar nga Fabio Kapelo janë shndërruar në shënjestrën e një celule terroriste islamike që vepron në Afrikën e Jugut. Sipas një raporti të publikuar nga “Sunday Express”, ndeshja hapëse e Anglisë kundër përfaqësueses së SHBA-së cilësohet me rrezikshmëri të lartë. Atentatet në këtë përballje janë objektivi i grupit të lidhur me Al-Kaedan, Al-Shabab, i cili drejtohet nga sheiku Moktar Ali Zubeir. Xhon Terri, Frenk Lampard, Stiven Xherard, Uejn Runi dhe Devid Bekam pritet të jenë të pranishëm në Botërorin 2010 dhe një sulm i mundshëm ndaj “Tre Luanëve” do të bënte bujë në mbarë botën: impakti i një sulmi terrorist dhe mbulimi mediatik në mbarë botën do të ishte një reklamë e jashtëzakonshme për ekstremistët. Sipas një raporti sekret të zbuluar nga gazeta, Al-Shabab përbën një “kërcënim të besueshëm” për skuadrën angleze, por edhe për afro 25 mijë tifozët që pritet të udhëtojnë drejt Afrikës së Jugut. Grupi terrorist nga Somalia ka mjaft ndikim në kepin perëndimor të Afrikës së Jugut, si dhe në qytetet më të mëdha të këtij vendi, madje mendohet se ata ishin shkaktarët kryesorë që SHBA-ja vendosi të mbyllte ambasadën dhe konsullatën në muajin shtator. Shërbimet sekrete të Afrikës së Jugut janë në dijeni të faktit se mjaft persona me kombësi somaleze, pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë ilegalë, tashmë veprojnë për Al-Shabab. Ata janë të pajisur me armë dhe eksplozivë dhe rreziku për një sulm terrorist në takimin Angli-SHBA (më 12 qershor), në stadiumin me kapacitet 42 mijë vende, “Rojal Bafokeng” në Rustenburg, pranë Johanesburgut, është real. Grupimi ka marrë guxim nga atentati i suksesshëm ndaj përfaqësueses së futbollit të Togos, vetëm pak orë përpara fillimit të Kupës së Afrikës në Angola: sulmi i armatosur i dy javëve më parë shkaktoi tre të vdekur dhe shtatë të plagosur. Li Niblet, eksperti i antiterrorizmit i “Red24”, një kompani londineze e specializuar në sigurinë ndërkombëtare dhe bashkautor i raportit deklaroi: “Al-Shabab e ka të qartë se çfarë simbolike domethënëse ka një sulm terrorist në ndeshjen Angli-SHBA. Kontrollet kufitarë në Afrikën e Jugut lënë shumë për të dëshiruar, në këtë vend jetojnë rreth 5 milionë emigrantë. Ka gjasa që celulat terroriste të kenë hyrë në këtë vend me qëllimin që të përgatisin atentatet. Nuk përjashtohen sulme ndaj lojtarëve, tifozëve apo stadiumit”. Në raportin sekret, që në mënyrë simbolike ka titullin “Afrika e Jugut, Kupa e Botës 2010 – Kërcënimi Terrorist” thuhej se përveç Anglisë dhe SHBA-së, “të rrezikuara janë edhe përfaqësueset e Francës, Gjermanisë, Spanjës e Australisë, shtete që kanë luajtur rol të rëndësishëm në ‘luftën kundër terrorizmit’. Këto skuadra cilësohen si objektiva të mundshëm të grupeve terroriste”.
#