E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi i ISHP-së, gripi sezonal vazhdon të shfaqet i rrezikshëm e dhe për këtë periudhë



Eljona Lata

Edhe pse jemi në fund të periudhës së gripit sezonal ajo që vihet re është se numri i të prekurve në të gjithë vendin nga virozat sezonal vazhdon të regjistrojë shifra të përafërta me pikun e sezonit. Nga një raport i fundit i Institutit të Shëndetit Publik, ka rezultuar se për periudhën, nga 22 deri në 28 shkurt kanë raportuar 34 rrethe dhe numri i personave të prekura nga virozat sezonale është 14152 raste. Numrin më të madh të rasteve e zënë fëmijët të moshës nën 5 vjeç. Sipas specialistëve kjo grupmoshë është më e ekspozuar ndaj virozave dhe shfaqet më e pa mbrojtur. Pjesa më e madhe e pacientëve janë të prekur nga infeksioni respirator i sipërm ose ndryshe nga rrufa dhe laringjit. Por, nuk përjashtohen edhe rastet kur gripi shfaqet më i rënduar te pacientët. Gjithashtu shqetësuese janë vërejtur edhe rastet me infeksion respirator të poshtëm.
Numri i të prekurve
Nga të dhënat e raportit rezulton se në javën e fundit kanë raportuar 34 rrethe dhe numri i të prekurve është 14152 raste.
Por, dy rrethe të tjera që janë Kukësi dhe Puka nuk kanë raportuar numrin e të prekurve. Sipas ISHP-së, numri më i madh i të prekurve është me infeksione respiratorë të sipërme duke regjistruar 8083 rasteve. Por nuk përjashtohen edhe rastet me infeksione respiratore të poshtme ku regjistrohet një numër jo i vogël, që janë rreth 5300 raste brenda një jave. Ndërsa rastet me diarre renditen të tretët në listë nga numri i personave të prekur, që janë rreth 762. Numër të vogël regjistrojnë virozat si verdhëza me 3 raste, ethet e pashpjegueshme me 2 raste dhe rrash me temperature me 2 raste. Luhatje e rasteve me infeksione respiratore paraqitet i qëndrueshëm gjatë javës së fundit në krahasim me javët pasardhëse. Ndërsa luhatjet në kohë e diarreje paraqet rritje në javën e 8-të krahasuar me javën paraardhëse, java e 7-të.
Më të rrezikuarit
Sipas statistikave më të rrezikuarit për tu prekur nga virozat e stinës janë fëmijët nën moshën 5 vjeç. Me infeksione respiratore janë regjistruar rreth 6926 raste të kësaj grupmoshe brenda një jave. Ndërsa po me të njëjtën virozë brenda javës janë regjistrua 6457 raste që kanë prekur grupmoshat mbi 5-vjeç. Edhe në rastet e prekura nga diarreja me të rrezikuarit janë fëmijët e moshës nënë 5-vjeç. Kjo grupmoshë shënon një numër rreth 475 raste. Ndërsa grupmosha mbi 5 vjeç kap një shifër më të ulët prej 305 raste në një javë. Ndërsa përsa i përket qyteteve numrin më të madh të prekurve e kap Kuçova me rreth 81 raste në 1000 banorë. Ndërsa pas Kuçovës vjen Saranda me një diferencë të vogël rreth 79 raste për 1000 banorë. Por edhe kryeqyteti ka një numër të konsiderueshëm të prekurish nga gripi sezonal rreth 70 raste të regjistruar në 1000 banorë. Numër të konsiderueshëm të rasteve ka regjistruar dhe rrethi i Devollit dhe Beratit.

Urgjenca e Kardiologjisë ndërpret operacionet, defekt në aparaturë

Urgjenca e Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë nuk ka kryer operacione prej disa ditësh. Shkak është bërë djegia e autoklavës, sterilizuesja e pajisjeve mjekësore pa të cilat nuk mund të kryhen operacionet. Defekti i autoklavës pranohet dhe nga drejtoria e QSUT e cila ka deklaruar dje përmes zyrës së shtypit se autoklava e sterilizimit të pavijonit të kardio-kirurgjisë ka pësuar një defekt për shkak të djegies së rezistencës. “Drejtoria e QSUT-së është njoftuar ditën e enjte paradite për defektin dhe një ditë më pas ka firmosur për blerjen e pajisjes me anë të prokurimit të drejtpërdrejtë.
Procedurat për rregullimin e aparaturës pritet të përfundojnë brenda dy ditëve”, është shprehur drejtori i QSUT, Ilir Dashi.
Sipas drejtorisë, për pacientet e urgjencës, sterilizimi i pajisjeve bëhet në Spitalin Francez për shkak të afërsisë që kanë njëri me tjetrin këto godina. Në këtë pavijon ditët e fundit vihet re një mbipopullim i madh nga pacientë. Sipas mjekëve një pjesë e mirë e pacientëve, të cilët duhet të shtroheshin në urgjencë janë detyruar të shtrohen në spital për shkak se nuk ka vende të lira.

Bashkia nis të mbjellë pemë në rrugët dytësore
Në rrugën Kont Urani u mbollën rreth 65 rrënjë mimoza, duke rritur përmasën e gjelbër të qytetit. Gjatë muajit mars, rreth 2500 rrënjë pemë të reja, të llojit rrap, bli, gështenjë, kumbulla do i shtohen qytetit, vetëm nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. “Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë që na jepet, për të sjellë në rrugët e dyta të Tiranës sezonin e mbjelljeve, duke vazhduar të rrisim përmasën e gjelbër të qytetit, që sot është shumë më i pastër dhe më i gjelbër dhe nesër do të jetë edhe më i pastër edhe më i gjelbër. Unë u jam mirënjohës të gjithë qytetarëve që kontribuojnë në nismën “Një qytetar – një pemë”, banka, biznese, shoqata, individë që i ftoj të vazhdojnë të kontribuojnë, sepse Tirana jonë e përbashkët do të jetë nesër një Tiranë e gjelbër, ashtu si të gjithë e dëshirojmë për fëmijët tanë, vetëm me kontributin tonë sot, me kontributin e të gjithë secilit, me kontributin e çdo pjese të shoqërisë sonë që është në gjendje të marrë pjesë në këtë nismë” u shpreh Rama. Krahas rrugëve të rikonstruktuara, infrastrukturës së përmirësuar, puna dhe politikat e Bashkisë për gjelbërimin e kryeqytetit tonë është një tjetër komponent tejet i rëndësishëm, që synon ta kthejë Tiranën në një metropol të vërtetë të standardeve dhe vlerave evropiane.

Alkooli, duhani e obeziteti po “vrasin” shqiptarët
Shqiptarët po rrezikojnë të shkurtojnë jetën duke konsumuar alkool dhe duhan e duke u kequshqyer. Gjithashtu, një nga vrasësit e tyre është dhe hipertensioni, i cili po prek një pjesë të madhe të popullatës, gra e burra. Studimi i parë demografik mbi situatën shëndetësore ka përfunduar analizën e të dhënave dhe publikimi i tyre do të bëhet më 15 mars. Projekti i madh i financuar nga UNICEF e USAID u krye nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Instituti i Statistikave. Studimi i madh demografik u krye në periudhën e viteve 28 tetor 2008 dhe përfundoi më 26 prill të vitit 2009. Për mbledhjen e të dhënave u intervistuan 9 mijë persona në shtëpi, gra e burra nga mosha 15 deri në 49 vjeç. Sipas studimit, shqiptarët, meshkuj e femra kanë rritur dozat e alkoolit dhe duhanit, kanë shtuar sjelljet e riskut duke u prekur nga sëmundjet seksuale të transmetueshme si pasojë e lidhjeve jashtë martesore, është rritur përqindja e të sëmurëve nga hipertension, si dhe mbetet shqetësuese vdekshmëria foshnjore në zonat rurale. Të dhënat e studimit më të fundit në Shqipëri që i përket viteve 2008-2009, treguan se Niveli i duhanpirës tek gratë është në moshat 2-24 vjeç (7 për qind), ndërsa te mosha 25-29 vjeç (10 për qind).Në mesin e burrave, përqindja e duhanpirës rritet dhe arrin pikun në 56 për qind në moshat 30-34 vjeç. Duhanpirja te gratë është përqendruar shumë në duhanpirëset femra që jetojnë në kryeqytet 14 për qind, gratë me arsim të lartë 15 për qind dhe gratë me stad të lartë ekonomik 12 për qind.
Studimi tregon shifra të larta përsa i takon konsumit të alkoolit si tek meshkujt dhe tek gratë. Sipas tij, një në 3 gra ose (32 për qind ), ose 2 në 3 burra ose 65 për qind raportojnë se konsumojnë alkool dhe ata që konsumojnë shumë alkool në 12 muaj janë 30 për qëind e grave dhe 63 për qind. Më pak se 1 për qind e grave dhe 16 për qind e burrave pinë alkool deri në 5 ditë në javë. Në lidhje me hipertensionin, raporti për 2008-2009, thotë se 20 për qind e grave dhe 28 për qind e burrave në Shqipëri vuajnë nga hipertensioni. Të dhënat treguan se kjo sëmundje është një problem serioz shëndetësor në mesin e shqiptarëve të moshuar por 79 për qind e grave dhe 90 për qind e burrave me presion të lartë në gjak nuk e dinë se janë me hipertension. Në lidhje me kequshqyerjen, gjatë 2008-2009 u vu re se 5 për qind e fëmijëve nën moshën 5 vjeç janë nënpeshë në krahasim me moshën e tyre, ndërsa 22 për qind e fëmijëve të kësaj moshe janë mbipeshë ose obezë. Ndërsa tek të rriturit, më shumë se 3 për qind e grave në Shqipëri janë nën peshë, 39 për qind janë mbipeshë ose obezë prej tyre 30 për qind janë mbipeshë dhe 10 janë obezë. Përsa i takon sjelljeve seksuale, 27 për qind e burrave dhe 7 për qind e grave kanë sjellje të lartë risku pasi në 12 muaj kanë raportuar se kanë pasur një raport jashtë martese/11 për qind e grave dhe 5 për qind e burrave raportojnë se kanë qenë të prekur nga sëmundje seksuale të transmetueshme. Të dhënat mbi vdekshmërinë foshnjore tregojnë se ka një rënie të shifrave, nga 26 për 1,000 lindje në 2002 në 18 në 1,000 lindje në 2009. Por vdekshmëria foshnjore është më e lartë në zonat rurale sesa urbane, 24 vdekje për 1000 lindje në krahasim me zonat urbane 12 vdekje për 1000 lindje.
Ndërkohë niveli i vdekshmërisë foshnjore është më i lartë tek fëmijët që lindin nga gratë e varfra, 21 në 1000 lindje, kurse tek gratë që kanë një stad më të lartë social, 15 në 1000 lindje.

6 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›