E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi Baric: "Shqipëria B, më keq se kategoria e tretë gjermane“

Nga Bledar Kuka
Trajneri i shqiptarëve në futboll, Otto Baric, ka deklaruar se ka mbetur shumë i pakënaqur me lojën e të besuarve të tij të kombëtares B, në miqësoren e djeshme ndaj Fortuna-s së Duesseldorfit gjerman. Kuqezinjtë thuajse janë turpëruar nga skuadra e kategorisë së tretë gjermane (Liga Rajonale Jug) duke bërë që Baric të mbetet shumë i zhgënjyer. „Nuk mund të flas për gjëra të bukura, - është shprehur Baric, për faqen zyrtare të klubit gjerman, - Duesseldorfi ishte më i fortë sesa ne dhe ishim me fat që nuk humbëm". Duke vazhduar deklarimin e tij, kroati veteran theksoi se „disa prej lojtarëve të mi luajtën me ritëm të ngadaltë si të ishin në një ndeshje të kampionatit shqiptar". Ndeshja u luajt në një nga fushat e kompleksit ku po bën stërvitje kombëtarja, në Antalya të Turqisë (Kemer). Baric ka hedhur direkt në formacion dy lojtarët nga Kosova, Armend Dallku dhe Debatik Curri, në një takim që u ndoq nga rreth 500 tifozë. Në pjesën e parë, gjermanët kanë rrezikuar më shumë, ndonëse loja ka qenë thuajse në barazpeshë. Pjesa e dytë, sipas komenteve në faqen e klubit gjerman, ka folur më shumë për Fortuna-n, që krijoi disa raste për shënim. Gazeta gjermane „Rp" shkruan se „me këtë paraqitje, është shumë e vështirë të besosh se kjo Shqipëri ka mundur 7-2 skuadrën e kategorisë së parë turke, Antalyaspor-in. „Duesseldorf-i ishte shumë i fortë, - vazhdoi trajneri ynë, - dhe ishim me fat që nuk pësuam humbje". Pa dashur të bëjmë komente, mendja të shkon vetvetiu te fjalët e ish-trajnerit të kombëtares, Hans-Peter Briegel, që thoshte se „kategoria e parë shqiptare (Superliga) është baraz me kategorinë e katërt gjermane (Oberligën)". Nesër, Shqipëria B do të luajë kundër kryesueses së kampionatit shqiptar, Tiranës. Shqipëria B ndaj Fortuna-s: Lika, E.Xhafa (Teli), Dallku, Dede, Dedaj (K.Duro), D.Curri (Vrapi), Bulku, Aliaj (Hyka), D.Mukaj, Sukaj (Neziraj), Memelli (Plaku). Tr.Baric

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›