E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançini: “Unë te Çelsi? Do të ishte fantastike”

Nga Gert Serani
Vetëm një ditë pas zërave për një transferim të trajnerit të Interit, Roberto Mancini te skuadra e Celsit, ka folur edhe protagonisti i merkatos, i cili nuk e ka përjashtuar këtë mundësi. Mancini ka pranuar se do të dëshironte të ishte pasardhësi i Hoze Murinjos. "Realisht do të më pëlqente të drejtoja një ditë një skuadër në Premiership. Celsi? Do të ishte fantastike", tha tekniku zikaltër. Mancinit i ka mbetur edhe 6 muaj nga kontrata me kampionët e Italisë. Ish-sulmuesi i Sampdorias, Lacios, Interit dhe Leicesterit në 2001 pritej të rinovonte kontratën me italianët javën e kaluar, por nuk u realizua. Pyetjes nëse do të preferonte të shtynte kontratën në Milano, ai u përgjigj: "Asnjë gjë nuk është vendosur, por kjo nuk është vetëm një formalitet", vijoi 42-vjecari. Një i mik i ngushtë i Mancinit shtoi: "Ai është në djeni për interesimin e Celsit, por duke qenë person me karakter të vecantë, nuk besoj se do të largohej lehtë nga Interi pa dhënë maksimumin. Megjithatë kjo është 50 me 50 nëse do të qëndroj apo jo". Tabloidi anglez "The Sun" zbulon se zëvendëstrajneri i londinezëve, Stiv Klark u ka thënë lojtarëve se është i sigurt se do të largohet në verë së bashku me portugezin. Pro Klark ka dalë edhe sulmuesi, Didier Drogba, i pari nga futbollistët e Celsit që ka thënë se epokës së Hoze Murinjos po i vjen fundi dhe se shpirti i garës po zhduket nga dita në ditë. "Në ndeshjet e fundit tek ne ka munguar agresiviteti dhe përkushtimi i duhur dhe sidomos në përballjen me Liverpulin skuadra jonë nuk të jepte përshtypjen se do të luftojë deri në fund për titullin kampion. Ndoshta epoka e Murinjos nuk do zgjasë shumë. Por nuk e kuptoj pse portugezi duhet të sulmohet në këtë mënyrë, vecanërisht nga grupi i vet. E di shumë mirë që flitet se unë jam një nga të përkëdhelurit e Murinjos, por kjo nuk më shqetëson aspak", nënvizoi afrikani, i cili rinovoi kontratën deri në 2010 nga e cila do të përfitojë 100 mijë paund në javë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›