E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, mes intrigave të Lionit dhe Paris Sën Zhermenit

Albania Sport (AS) - Pas fitores 3-1 të Olimpikut të Marsejës me Okser, në javën e 21 të Ligë franceze, skuadra e Lorik Canës, e cila ndodhet në vendin e dytë do të përballet të shtunën në transfertë me La Mans, ekipin që zë vendin e dhjetë në klasifikim. Marseja tashmë e kaloi fazën e errët që përjetoi në mesin e fazës së parë, duke synuar qartë jo vetëm një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm, por edhe pse me diferencë prej -16 pikësh nga Olimpiku i Lionit, u bën presion pesë herë kampioneve të Francës. Skuadra e Lorik Canës, meshfushorit shqiptar që është shndërruar në një pikë referimi për Marsejën, do të luftojë fort për të regjistruar fitoren e katër rresht, përpara se të ndeshet javën e ardhshme me Paris Sën Zhermen, ekipin ku është formuar Cana si futbollist. Pas rikthimit të Sise dhe rigjetjes së formës nga ana e Frank Riberi (2 gola kundër Okser), olimpienët kanë marrë ngjyrat e një ekipi të pathyeshëm. Për shqiptarin Lorik Cana, dhjetë ditët e ardhshme janë të vecanta. Të mërkurën do të ndeshet me Olimpikun e Lionit në Kupën e Francës, vetëm pak ditë pasi janë bërë publike preferencat e trajnerit të Lionit, Zherar Hulier, ndërsa të dielën e ardhshme ai do të jetë kundër Paris Sën ZHermenit në kampionat, ekipin ku është rritur si futbollist. Dy sfida intriguese për lojtarin më të mirë të Kombëtares shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›