Strakosha: “Renaldo Rama është një lojtar i rrallë. Nini? S’bëj komente”

Nga Fatjon Kodra
(Interviste) Shpërthimi i disa talenteve të reja së fundmi në Greqi nuk e ka habitur shumë ish-kapitenin e kombëtares, Foto Strakosha, i cili punon prej kohësh në klubin e Olimpiakosit me ekipet e moshave. Sotir Nini, Renaldo Rama, Erald Musabelliu apo edhe të tjerë janë vetëm disa emra. Mirëpo, ish-portieri i kuqezinjve shprehet se ai e priste një gjë të tillë, ër shkak të emigrantëve të shumtë shqiptarë në Greqi, ndërkohë që paralajmëron se dicka e tillë do të ndodhë edhe në Gjermani, Itali apo vende të tjera ku shumë familje shqiptare emigruan pas viteve ‘90. I kontaktuar në linjë telefonike nga "Panorama Sport", pjesëtari i stafit të kombëtares shqiptare është detyruar të kërkojë pak kohë për të përfunduar stërvitjen me ekipet e moshave. Pas disa minutave ai është i gatshëm të bashkëbisedojë për këtë cështje.
Atëherë, Foto, besoj se keni dëgjuar të flitet shumë në median greke ditët e fundit për disa talente shqiptare. Duket sikur dolën të gjithë njëherësh në pah...
...Shikoni, unë e kam thënë këtë gjë shumë herë në bisedat me shokët e kolegët e mi dhe tani po e përsëris. Tani ka ardhur momenti që fëmijët e emigrantëve shqiptarë të ardhur në Greqi pas viteve ‘90 të arrijnë një moshë të caktuar për të dalë më pas në pah. Mos harron se në Greqi ka më shumë se 600-700 mijë emigrantë shqiptarë dhe në shumicën e rasteve fëmijët e tyre tani janë në moshën 16-17 vjec. Me pak fjalë unë e prisja një shpërthim të tillë, por jo vetëm në Greqi. Keni për të parë shumë shpejt që do të dalin talente shqiptare në Itali, Gjermani apo edhe vende të tjera ku shumë shqiptarë kanë emigruar pas viteve ‘90. Pra, kjo cështje nuk është vetëm greke.
Të flasim me emra konkretë. Renaldo Rama pak ditë më parë kaloi në skuadrën e parë të Olimpikaosit, një vlerësim për këtë talent?
E njoh si lojtar, duke qenë se edhe unë punoj prej kohësh te Olimpikaosi. Renaldo është shumë i talentuar dhe ndonëse është 17 vjec ka luajtur me meritë me skuadrën U-19, që normalisht është skuadra e dytë e Olimpiakosit. Tani ai kaloi te ekipi i parë, por nuk është cudi që shumë shpejt ai të ngjitet edhe më lart, pasi është me të vërtetë një i ri që ka bërë shumë progrese. E kam pasur në skuadër në disa ndeshje miqësore me të rinjtë e Olimpiakosit.
Në Shqipëri e njohin shumë pak. A mund të na e përshkruani si lojtar, në cfarë pozicioni luan dhe të dhënat e tij?
Bëhet fjalë për një mesfushor të majtë, por ndonëse është mëngjarash e përdor shumë mirë edhe këmbën e djathtë. Ka të dhëna të shkëlqyera. Është i gjatë mbi 180 cm dhe nëse thuhet gjithmonë se lojtarët teknikë i druhen përplasjeve fizike, Rama është një nga ata lojtarë që nuk i ka frikë duelet trup me trup dhe është shumë agresiv. Është i rrallë në këtë aspekt. Është grumbulluar një herë në zboret e skuadrës U-21, por për fatin e keq u dëmtua keq dhe qëndroi për rreth 3 muaj jashtë. Megjithatë, tani është shumë në formë dhe për të flitet shumë në Greqi.
Për Sotir Ninin është folur shumë në Shqipëri, dhe cështja e nacionalitetit të tij ka hapur polemika. Ju c'mendoni për të?
Natyrisht, nuk ka nevojë të them shumë gjëra për Sotir Ninin, pasi ai është një talent i madh që luan me ekipin e parë të Panathinaikosit. Të luash me këtë skuadër në moshën 16-vjecare duhet të jesh shumë i talentuar. Për sa i përket skuadrës përfaqësuese me të cilën do të luajë në kombëtare, personalisht nuk më takon të takon të flas dhe të bëjë komente. Unë nuk e kam takuar vetë lojtarin dhe nuk e di se cfarë mendon ai, kështu që nuk di c'të them më shumë për të.
Për Jahmir Hykën
Pasi u provua për disa ditë te Olimpiakosi, Jahmir Hyka u ra në sy shumë menaxherëve dhe talenti i tij bëri jehonë edhe në median greke. Aktualisht, fantazisti 19-vjecar ndodhet në Antalia me kombëtaren B ku po mahnit edhe trajnerin e kombëtares Oto Baric. Edhe Strakosha e vlerëson futbollistin e ri. "E kam dëgjuar emrin e tij shpesh në Greqi dhe me aq sa kam informacion, është një futbollist i talentuar që do të ketë një të ardhme të shkëlqyer. Shpresoj që ketë fat në karrierën e tij. Mirëpo ai ëshë ekstrakomunitar dhe kjo është një pengesë e madhe, edhe për një kalim te Olimpiakosi", - shprehet trajneri i ekipeve zinxhir të Olimpiakosit.