E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, Drini i Bardhë ngordh 6 krerë lopë në Kukës



KUKËS – Një tjetër skandal ka shpërthyer pas atyre të ndodhura me farat dhe pesticidet në disa rretheve të vendit. Uji i lumit Drin i Bardhë që vjen nga Kosova drejt territorit shqiptar është bërë shkas që të helmohen disa kafshë në rrethin e Kukësit. Brenda pak ditësh kanë ngordhur njëra pas tjetrës disa lopë, të cilët rezultuan me sëmundjen e plasjes. Pas analizave të bëra nga ekspertët e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në qarkun verior, janë hedhur dyshimet se shkak i ngordhjes së kafshëve shtëpiake mund të jetë uji i ndotur. Sipas të dhënave zyrtare deri ditën e djeshme janë infektuar dhe kanë ngordhur gjashtë krerë lopë. Ndërkohë që autoritetet shtetërore kanë lëshuar urdhër për ndalimin e përdorimit të mishit të kafshëve nga konsumatorët. Po ashtu, ka nisur një kontroll në fshatin Morin për të hetuar shkaqet e ngordhjes së lopëve dhe për të parë nëse ka edhe kafshë të tjera të infektuara me sëmundjen e plasjes.
Alarmi
Ngordhja e disa lopëve brenda pak ditësh ka shkaktuar panik të banorët e fshatit Morinë, në Kukës. Sipas analizave, shkaku i ngordhjes është infektimi me sëmundjen e plasjes, dhe banorët duhet të ruhen nga infektimi. Gjashtë krerë lopë kanë ngordhur në fshatin morinë të Kukësit, duke shkaktuar panik te fermerët dhe banorët e zonës. Brenda katër ditësh, lopët kanë ngordhur papritur, dhe banorët kanë njoftuar autoritetet përkatëse për marrjen e masave. Sipas banorëve, shkaku i ngordhjes mund të jetë sëmundja e plasjes. Një ekip me specialistë të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Kukës ka shkuar në fshat dhe ka pare nga afër situatën. Ata kanë marrë kampione nga lopët e ngordhura, duke vërtetuar shkakun e ngordhjes.
Hetimi
Shefqet Elezi, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Kukës thotë se “dyshohet se kullotat e bagëtive, përgjatë kufirit me Kosovën, ku dhe gjendet lumi Drin i Bardhë të jetë shkaku i sëmundjes. Lumi mbart shumë mbeturina që vijnë nga shteti fqinjë”. Gjithsesi pritet të bëhen edhe analizat e ujit që vjen nga Drini i Bardhë në territorin e vendit tonë. Ky fakt është pohuar nga burime zyrtare të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Qarkun e Kukësit. Në Kosovë ka një sërë fabrikash të cilat lëshojnë mbetjet e tyre në ujërat e lumit, i cili më pas vjen drejt Shqipërisë. Sëmundja e plasjes është mjaft e rrezikshme dhe shkakton ngordhje te menjëhershme te bagëtive. Gjatë muajve të fundit janë regjistruar disa vatra infeksioni të sëmundjes së plasjes në vendin tonë. Në rrethet e Matit, Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës kanë ngordhur disa bagëti. Ndërkohë që janë infektuar me dhjetëra qytetarë. 12 veta u shtruan në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës pasi kishin përdorur qumësht dhe mish të kafshëve që mbartnin virusin e plasjes. Konsumi i mishit të tyre është vdekjeprurës dhe për njerëzit në rastet kur virusi hyn në trupin e njeriut.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›